Tuesday, August 3, 2010

National Geographic: Shqiptarët e udhëhequr nga Enver Hoxha hedhin valle në gojën e ujkut

Një album me foto dhe një reportazh i detajuar për Shqipërinë e viteve ’80 nga revista prestigjioze angleze

Botuar në “National Geographic”, 1980 Një artikull mbi Shqipërinë komuniste nga një gazetar i revistës angleze "National Geographic". Ishte viti 1980, kulmi i izolimit të komunizmit shqiptar. Një album me foto dhe një reportazh i imët mbi Shqipërinë e atyre viteve parë nga një revistë perëndimore. Aeroplani që fluturonte në jug të Jugosllavisë drejt në Adriatik u kthye 90 gradë dhe u drejtua për nga toka e Shqipërisë. Në lashtësi, legjionet romake, që vinin nga Apeninet në Brindizi, në thembrën e Italisë, duke kaluar nga Otranto, zbarkuan këtu dhe marshuan në lindje mes Selanikut dhe Kostandinopojës. Gotët dhe normanët e pushtuan. Perandoritë Bizantine, Bullgare, Serbe dhe Veneciane patën ndikim në këtë vend. Më vonë turqit sunduan afërsisht pesëqind vjet dhe e bënë Shqipërinë vendin e vetëm me popullsi dominuese myslimane në Evropë. Pastaj erdhën ushtritë e Musolinit dhe Hitlerit. Tani nuk ka asnjë korridor ndërkombëtar që kalon përmes Shqipërisë. Asnjë nga ato treqind kilometra rrugë që ka ajo aktualisht nuk është e lidhur me ndonjë pikë kalimi kufitare. Asnjë aeroplan i huaj nuk lejohet në hapësirën ajrore të saj. Fluturimet e ndryshme tregtare lejohen që të vijnë vetëm përmes hapësirës ajrore mbi det dhe në këtë rast duhet të kryhet gjatë orëve të ditës. Në kabinën e aeroplanit ndodhej një grua e vjetër, një diplomat, një profesor austriak i gjuhës shqipe dhe disa biznesmenë që vinin për të blerë minerale dhe për të shitur makineri. Në avion përpiqesha që të krijoja një ide mbi këtë vend, duke u nisur nga vizitorët që po shkonin atje. Kryetari i Partisë Komuniste, diktatori Enver Hoxha, kishte deklaruar se vendi i tij ishte "i mbyllur ndaj armiqve, spiunëve, hipive dhe huliganëve, por i hapur ndaj miqve (marksistë apo jo), ndaj revolucionarëve dhe demokratëve përparimtarë si edhe për turistët e ndershëm që nuk ndërhyjnë në çështjet tona". Më i mprehtë ishte komenti i një agjenti tregtar: "vetëm të çmëndurit, diplomatët dhe gazetarët shkojnë në Shqipëri". Unë isha një gazetar që kisha pritur afërsisht një vit për të marrë vizën për të ardhur këtu. Mendoja se çfarë mund të gjeja në këtë vend të vogël me 2,7 milion njerëz, me madhësinë e Marilendit dhe të panjohur aq sa Tibeti. Sot "vendi i shqiponjave" është tërësisht i kolektivizuar. Kështjella e fundit e stalinizmit është vendi komunist më dogmatik, më i izoluar dhe më i prapambetur i Evropës, nën diktatin e një udhëheqësi që drejton vendin nga hiri i Luftës së Dytë Botërore në rrugën e modernizimit, nga plugu drejt traktorit, nga artizanati drejt fabrikës. Këtu do të gjeja frytet e një eksperimenti të pazakonshëm social, një brez të tërë që rritet i mbyllur në një laborator socialist të vijës së ashpër, duke sfiduar botën, të vetizoluar, të "pandotur" nga Lindja apo Perëndimi.Por papritur mbeta i shtangur pasi mund të humbja këtë vizitë që mezi kisha siguruar. Shqipëria ndalon hyrjen e njerëzve me flokë të gjatë dhe me mjekër, të grave me funde të shkurtra, pantallona të ngushta dhe me shfaqje të tjera të dekadencës borgjeze. Kishte mjaft tregime për vizitues të ndryshëm që ishin dërguar menjëherë tek berberi i aeroportit që t'i rruante. Por ushtari që më takoi kur zbrita nga avioni ishte më i interesuar për pasaportën sesa për pamjen time. Kështu, mbërrita nën diellin e një dite shtatori në aeroportin më të vogël e më të përgjumur të Evropës, i rrethuar nga hija e palmave dhe portokallave të ngarkuara me kokrra. Kopi Kyçyku më përshëndeti në turqisht dhe më dha planin e ditës të përgatitur nga një anëtar i komitetit të mikpritjes së Ministrisë së Jashtme. Pastaj Kyçyku, më solli një kafe ekspres si dhe ca formularë për të plotësuar e së fundi më rrasën në një makinë Fiat, të prodhuar në Poloni, me të cilën udhëtuam për gjysmë ore drejt Tiranës, kryeqytetit. Gjatë rrugës, brigadat e fshatarëve në fusha linin punën për disa çaste dhe ngrinin kokën për të më hedhur ndonjë vështrim. Gjatë rrugës nuk kishte fare trafik.
Polic trafiku pa trafik
Jeta në Tiranë përqendrohet rreth sheshit Skënderbej, me monumentin e këtij heroi që gjatë shek. XV luftoi kundër Perandorisë Otomane. Na krah është pallati modern i kulturës e pak më tej një seri ndërtesash mbretërore të Zogut, që subndoi në këtë vend gjatë viteve '20 dhe '30. Në një nga këto ndërtesa janë zyrat e revistës satirike Hosteni dhe ish-selia e vjetër e kuvendit është kthyer në teatër fëmijësh. Përgjatë një kilometri nga sheshi Skënderbe deri te sheshi Universitar, shtrihej bulevardi Dëshmorët e Kombit, me statujat e mëdha të Leninit dhe të Stalinit anash, me ndërtesën e Komitetit Qëndror të Partisë Komuniste, me ministritë e mëdha dhe stadiumin e futbollit. Pasdite, sheshi dukej i shkretë, një makinë zyrtare, një automjet ushtarak, një autobus, disa biçikleta, një grumbull grash të vjetra që fshinin rrugën. Megjithatë, në qendër të sheshit qëndronte një polic që drejtonte trafikun në mënyrë solemne. Shqipëria nuk lejon makina private dhe kryeqyteti i saj ka vetëm një dyzinë taksish, të gjitha pronë shtetërore. Shumica e tyre ishin rreshtuar pranë sheshit, shqiptarët rrallë i përdornin ato. Ne u vendosëm në hotelin Dajti, ndërtuar nga italianët në fillim të vitit 1940. Ai ishte një nga dy hotelet e Tiranës për të huajt dhe vendasit nuk lejoheshin të kalonin natën aty. Dhoma ime me ballkon ishte e zbukuruar nga një qilim. Poshtë, në dyqanin e dhuratave, një i tillë shitej 20 dollarë, sipas kursit të këmbimit. Pashë në dhomën e televizorit dhe konstatova se mund të ndiqeshin vetëm programe vendase. Studiova deklaratat për shtyp që ishin shpërndarë mbi një tavolinë të hollit kryesor dhe u ndala përpara një grumbull revistash e gazetash si Shqipëria e Re, Zëri i Popullit, gazeta partiake, dhe disa të përditshme të tjera shqiptare modeste dhe të ngjashme në përmbajtje. Seria e botimeve të Enver Hoxhës ofrohej në shumë gjuhë, por kjo nuk ndodhte me asnjë nga gazetat, revistat apo librat. Ishte sikur bota jashtë Shqipërisë nuk ekzistonte. Në muzg dola nga hoteli për të shkuar në sheshin Skënderbe. Çfarë ndryshimi! Dukej se gjysma e Tiranës, me 200 mijë banorë, kishte vërshuar në shesh pas punës. Disa shëtisnin përgjatë bulevardit, disa mblidheshin në grupe të vogla për të biseduar e disa të tjerë u drejtoheshin kioskave për të blerë cigare shqiptare, pije joalkoolike dhe gazeta. Të rinjtë dhe të rejat flirtonin me njeri-tjetrin. Prindërit shkonin në Pallatin e Kulturës për ndonjë koncert, shfaqje ose ekspozitë, ndërsa studentët mbushnin bibliotekën kombëtare. Në kaosin e autobusëve, biçikletave dhe këmbësorëve, polici në shesh drejtonte gjakftohtë trafikun me bilbilin e tij. Për rreth dy orë zemra e Tiranës mbushej me jetë, për të rënë më vonë në qetësi. Madje edhe polici i trafikut shkonte në shtëpi.
Kombi që përçmon gjigantët "revizionistë"
Mëngjesin tjetër Bashkim Babani, shoqëruesi im, një burrë i hollë rreth të tridhjetave, më çoi në Pallatin e Kulturës. Shqiptarët janë mjaft krenarë për këtë ndërtesë që u nis nga rusët dhe u la përgjysmë kur ata u tërhoqën nga Shqipëria në vitin 1961, si rezultat i një përplasjeje ideologjike. Shoqëruesi më tha: "revizionistët sovjetikë dhe imperialistët ndërprenë gjithë ndihmat ndaj nesh dhe vendosën bllokadën ekonomike, duke menduar që ne shumë shpejt do të dorëzoheshim. Por ne i mobilizuam forcat tona dhe e përfunduam këtë ndërtesë. Ajo qëndron sot si simbol i triumfit tonë". Pas ndarjes me grupin e "renegatëve hrushovianë", Hoxha u bashkua me armikun më të madh të Bashkimit Sovjetik, Kinën e Mao Ce Dunit. Shqipëria u bë miku më i afërt i Kinës, mbështetësja e saj në Kombet e Bashkuara dhe mori prej saj ndihmë ekonomike prej një a dy miliardë dollarësh. Kjo zgjati deri në vitin 1978, kur Kina iu afrua Shteteve të Bashkuara "imperialiste" dhe Jugosllavisë "revizioniste", duke shkaktuar thyerjen e "miqësisë së përjetshme".
Nga do t'ia mbante këtë radhë Shqipëria?
Nga Tirana deri në fshatin më të humbur, nëpër rrugë, ndërtesa, fabrika, shkolla dhe ferma shkruheshin slogane me përgjigjen. Në një parullë në sheshin Skënderbej shkruhej: "Pa ndonjë ndihmë të huaj dhe pa mbështetje nga jashtë, do të mbështetemi vetëm në forcat tona". Një tjetër deklaronte: "Ne do të thyejmë bllokadën dhe rrethimin e imperializmit dhe revizionizmit". Në ballë të zyrës së kryeministrit shkruhej: ""Jetë të gjatë pushtetit të popullit". Një klasë studentësh të gjuhëve të huaja studionin në tabelën e zezë parullat e Enver Hoxhës në anglisht: "Të ndërtojmë socializmin duke mbajtur në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën pushkën". Në një pozicion mbrojtës ndaj botës, duke e parë veten kundër Kinës gjigante dhe e kërcënuar nga Bashkimi Sovjetik dhe satelitët e saj të Bllokut Lindor, e frikësuar dhe skeptike ndaj Jugosllavisë, Greqisë dhe gjithë Perëndimit, Shqipërisë lilipute i duhej të vazhdonte përpara e vetme.
Si mund t'ia dilte?
Duke mobilizuar prodhimin. Punëtorët punonin me tri turne për të shfrytëzuar makineritë 24 orë në ditë. Kam parë traktorë që punonin në fusha edhe natën nën dritën e prozhektorëve, traktorë që të nesërmen dërgoheshin në fermat e tjera për të vazhduar punën pa pushim. Si pjesë e këtij "revolucioni teknik" disa inxhinierë, teknikë dhe punëtorë i shtonin shumë orë tetorëshit, duke zgjeruar më tej javën gjashtëditëshe të punës. "A merr pagesë për punën që bën jashtë orarit"? - u pyet një punëtor i një fabrike të Tiranës që prodhonte pjesë traktorësh. "Jo, nuk e kërkojmë atë. Ne punojmë vullnetarisht sepse besojmë që kjo punë është rruga e vetme për të çarë bllokadën. Ky shpirt revolucionar do të na udhëheqë drejt fitores". Në uzinën "Enver Hoxha" në Tiranë, kolegu im Sami Kohen krenohej duke treguar traktorin e parë të bërë nga shqiptarët. Kur Kina ndërpreu ndihmën, e lanë këtë uzinë dhe mjaft projekte të tjera të mëdha përgjysmë. "Teknikët kinezë, madje, morën edhe gjithë planin e uzinës më vete - tha i zemëruar drejtori i kësaj uzine. - Pastaj ata u përpoqën të sabotonin veprën duke mos na dhënë makineritë e nevojshme. Por ne e plotësuam projektin e ndërtimit dhe morëm pjesë makinerish nga vende të tjera. Jo si një ndihmë apo mbështetje të huaj. Kishim ndihmë të mjaftueshme nga Kina dhe Rusia. Nëse kemi nevojë për diçka, e blejmë nga ndonjë shtet me para në dorë. Në këtë mënyrë ruajmë pavarësinë tonë". Në fakt, Kushtetuta e Shqipërisë e vitit 1976, ndalon marrëveshjet tregtare duke ndaluar kreditë bankare nga Lindja dhe Perëndimi.
Të jetuarit mirë, sipas stilit shqiptar
Vetëm pak vende të tjera mund të kishin këtë rrugë të vështirë zhvillimi. Por Shqipëria sundohet nga një dorë e hekurt dhe shqiptarët janë të mësuar me mungesat. Vështirësitë e tërmeteve dhe përmbytjeve ndoqën tmerret e luftës. Kur rusët u tërhoqën u rrit shumë numri i të përvuajturve, shumë komoditete u pakësuan. Sot, megjithëse Shqipëria është larg nga të qenit e zhvilluar, ajo nuk ka mungesa serioze dhe racionime. Njerëzit vishen thjesht, por asnjë prej tyre me rroba të vjetra dhe të arnuara. Familjet jetojnë në apartamente të vogla ose shtëpiza, të varfra në mobilje dhe larg standardeve perëndimore. Por krahasuar me mjerimin e djeshëm, shqiptarët as e vënë në dyshim që janë më mirë sot. Dhe ata krenohen me vullnetin për të mbijetuar duke u mbështetur në forcat e veta. "Ne do të hamë edhe bar po ta kërkojë nevoja, por nuk ua shtrijmë kurrë dorën imperialistëve". Regjimi i Hoxhës filloi reformën agrare në vitin 1945 duke u marrë tokat pronarëve dhe duke ua shpërndarë fshatarëve. Kolektivizimi përfundoi në vitin 1960. Rezultatet: moçalishte të thara dhe plotësisht të kontrollueshme dhe të punueshme, shumë ferma të ngritura dhe kodra të tarracuara e të mbjella me fruta. Toka e punueshme në zonat malore që dikur zinte rreth 10 për qind të sipërfaqes, tani është dyfishuar, malarja ishte zhdukur, shërbimi shëndetësor dhe social ishte përmirësuar ndjeshëm. Katër dekada më parë shqiptarët jetonin afërsisht 38 vjet. Sot ata arrijnë deri në 68 vjet mesatarisht. Në sfidën e saj ndaj Botës, Shqipëria mund të mbështetet në burimet e saj minerale dhe energjetike. Pas Afrikës së Jugut dhe Bashkimit Sovjetik, Shqipëria radhitet e treta në prodhimin e kromit. Me nevoja të kufizuara, Shqipëria vetë-mjaftohet me nxjerrje vajguri, qymyri dhe me energji hidro-elektrike. Pashë linja shpërndarjeje elektriciteti të shpërndara në gjithë vendin. Dhe fshatrat më të thella ishin elektrifikuar, madje Shqipëria i shiste energji elektrike fqinjëve jugosllavë dhe grekë. Prodhimet industriale, minerale dhe bujqësore mbushin ekspozitën "Shqipëria sot" në Tiranë. "Çdo gjë këtu është produkt i punës dhe sakrificës sonë", shprehet Hysen Vaqarri, drejtor i ekspozitës. "Ne madje prodhojmë ushqim të mjaftueshëm për eksport. Asnjëlloj krize energjitike në Botë nuk na prek neve. Ne prodhojmë çdo gjë duke filluar nga radiot deri tek enët e kuzhinës. Ne bëjmë gjithçka me forcat tona, pa mbështetje të huaj". Aq të lidhur janë ata me parimin e mbështetjes në forcat e tyre, sa nuk pranuar ndihmën e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, kur një tërmet i fuqishëm shkatërroi rajonin e Shkodrës, në Shqipërinë e Veriut. Nëpër Shqipëri pashë studentë, meshkuj dhe femra, duke ndërtuar rrugë, shtëpi, duke mbjellë nëpër ferma, duke punuar nëpër fabrika. Sistemi hekurudhor i Shqipërisë po zgjerohej drejt veriut kryesisht përmes punës së studentëve. "Kjo punë fizike na lejon ne studentëve ta njohim më mirë vendin tonë dhe njerëzit tanë, të zgjerojmë njohuritë praktike, të ndajmë mes nesh edukimin teorik dhe na ndihmon të ndërtojmë socializmin". Kështu shpreheshin Gjergj Murra, Bashkim Çami dhe Zeliha Kraga, studentë të historisë në Universitetin Shtëtëror të Tiranës. Përveç gjashtë orëve të përditshme studimi, ata kanë dhe një ditë të plotë në javë, stërvitje ushtarake.
"Çfarë bëni pas mësimit?",
"Studiojmë mësimet për ditën e nesërme."
"Po gjatë kohës së lirë?"
"Zakonisht shkojmë në teatër ose kinema, ose dëgjojmë muzikë klasike." Kurset zgjasin tetë muaj. Pastaj përveç muajit të punës fizike për studentët ka dhe një muaj shërbimi ushtarak, si për vajzat, ashtu dhe për djemtë. Të gjithë ata që mbarojnë shkollën e mesme duhet të shërbejnë një vit në një fabrikë ose në një fermë para se të gjejnë punë zyre ose të hyjnë në universitet.
"Po pas diplomimit?" Një trajnim njëvjetor para se të zënë një punë. Një i diplomuar në mjekësi shërben në një spital, një inxhinier punon në një fabrikë. Të diplomuarit në filozofi ose në gjuhë zakonisht japin mësim. Drejtuesit e universitetit thanë që 80% e popullsisë ishte analfabete në vitin 1938; sot 80% mund të lexojë dhe të shkruajë. Universiteti u hap më 1957 me 3.600 studentë. Sot regjistrohen 16 mijë në shtatë fakultete si inxhinieri, shkenca politike, gjeologji, histori, ekonomik, mjekësi dhe shkencat e natyrës.
"Nuk ka fakultet juridik?"
"Sistemi ynë nuk ka nevojë për juristë", përgjigjen. "Qytetarët tanë nuk kanë nevojë për një person të tretë që t'i mbrojë. Gjyqtarët e Gjykatave popullore të zgjedhura nga njerëzit i marrin vetë në konsideratë të drejtat e tyre". Çuditërisht Ministria e Drejtësisë u shkri në një prej reformave të shumta të Enver Hoxhës. Marksizëm- leninizmi është lënda themelore në të gjitha fakultetet, gjë që bën formimin ideologjik të studentëve. Kurset themelore përfshijnë historinë e Partisë së Punës së Shqipërisë, ekonominë politike të kapitalizmit dhe socializmit, si dhe materializmin dialektik, filozofinë "revizioniste" dhe sigurisht veprat e Enver Hoxhës. Plani 5-vjeçar cakton pranimet në Universitete përmes kuotave, sipas rretheve dhe biografisë familjare. Një e treta e të cilave u rezervohet punëtorëve, kooperativistëve dhe intelektualëve. Ata që rridhnin nga familje tregtarësh në sistemin e mëparshëm e kishin shumë të vështirë të siguronin një të drejtë studimi.
"Çfarë bëhet me ata që mbeten në provime?"
"Rinia jonë është idealiste. Në fund, 96% kalojnë."
E ardhmja do të jetë pak a shumë njësoj
Shqipëria sot dhe para viteve '70 është nën imazhin e Enver Hoxhës. Po pas tij? Me botuesin e revistës humoristike Hosteni biseduam për ndryshimet që kishin ndodhur pas ndërrimit të kursit nga ana e Bashkimit Sovjetik pas Stalinit dhe Kinës pas Maos. A do të kishte mundësi për të ndryshuar Shqipëria pas Enver Hoxhës? "Ju na krahasoni me ato vende revizioniste, - u përgjigj ai i pakënaqur. - Jo asgjë nuk do të ndryshojë pas shokut Enver Hoxha. Partia dhe kombi janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin. Mësimet e tij na kanë nxjerrë në rrugën e duhur. Ne nuk duhet të devijojmë prej kësaj rruge". E lidhur shumë pak me anën tjetër të Botës, Shqipëria e vetizoluar mban konstante frymën e luftës. Pas dy vitesh në shërbim ushtarak (për djem) dhe përgatitjes ushtarake në të gjitha nivelet shkollore (për djem e vajza), çdo shtetas pavarësisht nga profesioni duhet t'i shërbejë Partisë një muaj apo më tepër në forcat e armatosura. Duke frekuentuar stërvitje ushtarake në çdo fabrikë, fermë dhe zyrë të administratës, populli përgatitej kundër sulmeve që mund t'i bëheshin. Kudo që udhëtoja në fusha, në male, në bregdet, në parqe qytetesh dhe në blloqe pallatesh shikoja bunkerë. Ato duken dhe shtohen si kërpudhat mbas shiut. Një diplomat më tregoi: "Më shumë shpenzime shkojnë për ndërtimin e bunkerëve sesa për mirëqenien e popullit". E dija që Enver Hoxha është përqëndruar rreth të ardhmes së Jugosllavisë pas Titos dhe makthit të pushtimit sovjetik. A ndihej Shqipëria me të vërtetë e kërcënur?
"Ne duhet të jemi të përgatitur për më të keqen". - më tregoi një gazetar shqiptar. Armata shqiptare, përgjithësisht e prodhuar në Kinë, është jashtë kohe, dhe vëzhguesit diplomatikë në Tiranë thonë që shteti mbase duhet të shikojë për mbështetje në Tiranë. "Edhe nëse armiku është më i madh në numër, ne mund t'i ndalojmë ata. I gjithë populli do të mobilizohet menjëherë. Malet dhe lumenjtë tanë e bëjnë Shqipërinë një fortesë. Çdo sulm do t'u kushtonte shtrenjtë agresorëve". Imagjinova shtëpitë e gurit në Gjirokastër, në qytetet malore, shtëpitë me frëngji që janë fortesa më vete, trashëgimi e shekujve të përgjakur të mesjetës. Kujtova kalanë e Krujës, e cila në shekullin XV u bë qëndrestare e luftës kundër dyndjeve otomane, luftë guerrile e udhëhequr nga Skënderbeu. Pas lindjes së Gjergj Kastriotit, i dërguar peng në oborrin e sulltanit, dhe shumë shpejt arriti të bëhej komandant i lartë i Perandorisë Osmane. I riquajtur Iskander Bej turqisht, për nder të Aleksandrit të Madh, të cilin turqit e admironin, ai dezertoi dhe në krye të 300 nizamëve shqiptarë u kthye në atdhe. Ai i mbajti turqit larg Evropës deri në vdekjen e tij më 1468. Ai jeton si një simbol rezistence dhe flamuri i tij me fushë të kuqe si gjaku dhe me një shqiponjë të zezë me dy koka valëvitej nga partizanët e Enver Hoxhës gjatë luftës dhe sot në Shqipërinë e pavarur.
Shteti ndalon "Opiumin e popullit"
E rrethuar nga Alpet e ashpra të Veriut të Shqipërisë, nga një liqen i madh që ka dalje përmes lumenjve për në detin Adriatik, shtrihet Shkodra, qytet i epokës së Ilirisë. Në majë të një kodre ndodhet një kala e ndërtuar nga mjeshtra venecianë. Në qendër ndodhet një monument në nder të pesë partizanëve shqiptarë, të ciët sakrifikuan veten e tyre në një qëndresë kundër 300 nazistësh. Pranë tij ndodhet Muzeu Ateist i Shkodrës, të cilin shkova të vizitoja. Nën sloganin marksist "feja është opium për popullin", drejtori i muzeut, një burrë i ftohtë, me zë të çjerrë, i veshur në gri, më tregoi se feja ishte përpjekur të ndalonte Pavarësinë e Shqipërisë. Ngaqë turqit e njësojnë shtetin me fenë, Shqipëria myslimane (70% e popullsisë) ishte konsideruar turke. Ortodoksit (rreth 20%) ishin quajtur grekë dhe katolikët (rreth 10%) ishin quajtur latinë. Shërbesat ishin kryer në tri gjuhë të huaja, në arabisht, greqisht e latinisht por jo në shqipe, në të cilën ishin të ndaluara. "Gjatë përpjekjeve për të stabilizuar shtetin tonë, - vazhdon drejtori ndërsa më tregon për abuzimet klerike, - kishat shërbenin si kolonë e pestë për fashizmin dhe imperializmin". Regjimi i Enver Hoxhës ekzekutoi njerëzit e fesë, i dërgoi në kampe pune apo i detyroi të mos ushtronin profesionin e tyre. Vendet e tjera komuniste e lejojnë fenë, kurse Shqipëria e ndalon duke e shpallur veten më vitin 1967 si "shteti i parë ateist në botë". Të gjitha 2.169 kishat, xhamitë, manastiret e të tjera "qendra të obskuritetit dhe misticizmit" duheshin mbyllur, prisheshin ose transformoheshin në qendra kulturore, klinika, stalla etj. Katedralja e Madhe e Shkodrës ushton nga të thirrurat e 2 mijë tifozëve të basketbollit. Brezi i ri shqiptar njeh vetëm ateizmin, besimin në marksizëm-leninizëm, i cili zuri vendin e besimit fetar. Librat e Enver Hoxhës të serializuara, fjalimet që mbante në radio, shkrimet që botonte në gazeta, shërbenin si një Testament e Ri, ndërsa ai vetë mbahej si Mesia, pafundësisht i urtë, largpamës, i dashur dhe i pamposhtur nga armiqtë e tij.
Shoqëria e luftës mbyll dyert e saj
Dora e pamëshirshme e historisë ka ngulitur në mendjen e shqiptarëve se me sakrifica të mëdha mund të ecin përpara. Pas tri javëve në Shqipëri unë kuptova se sa i vogël isha për të depërtuar në murin e fortë të këtij eksperimenti social. Asnjëherë në udhëtimet e mia rreth Botës s'kisha hasur në një shoqëri kaq të mbyllur saqë u djeva sikur të isha në një shkretëtirë. I shoqëruar dhe kontrolluar vazhdimisht ndjeva se me makinën e verdhë me të cilën lëvizja, shikohesha si një shpërndarës i shpejtë i lebrozës. Shoqëruesi im, Bashkim Babani, qëndronte gjithmonë pas mejepër të parë se çfarë do të regjistronte telekamera ime. Ai më lejonte të fotografoja nga jashtë ndërtesat industriale, por jo t'i vëzhgoja ato në brendësi. Hidrocentralet, gjithashtu, nuk mund t'i vizitoja. Te një punishte më dhanë raki për të pirë por nuk më lejuan të shihja si prodhohej. Kërkesat e mia për të vizituar familje dhe shtëpi ishin politikisht të ndaluara dhe nuk u morën asnjëherë parasysh. Asnjë fotografi të bunkerëve, gomerëve, sigurisht asgjë primitive. Por Bashkimi kurrë nuk më ndaloi që të bëja dublime të kartolinave shqiptare. Një qytetar i ndaluar në hyrjen e Teatrit të Kukullave në Tiranë mbeti i fokusuar në aparatin tim. Bashkimi më hodhi poshtë çdo shpresë për të fotografuar një ceremoni martesore. Qeveria nuk lejon që të paraqiten festimet tradicionale. Nuk pashë rrugëve ndonjë qen apo mace, simbole të luksit borgjez. Njëherë pata një bisedë në turqisht me një vendas. Bashkimi menjëherë ndryshoi bisedën në shqipe dhe përktheu përgjigjet me zhargone të zakonshme partiake. Nuk munda të kuptoj mbrojtjen e tij. Ai ishte korrekt dhe miqësor, siç janë shumica e shqiptarëve. Vetëm njëherë pata mundësi të shikoja thyerjen e këtij zakoni, kur në një fermë afër Shkodrës, një adoleshent m'u afrua duke më tundur para fytyrës me forcë një slogan kundër të huajve.U mundova mjaft që t'i jepja një rrjedhë më intime bisedës, duke i treguar Bashkimit për jetën time në Stamboll me gruan dhe djalin. Por ai kurrë nuk më dha mundësinë të krijoja një ide mbi jetën dhe mendimet e tij private. Në të vërtetë, ai dukej se kishte maskën që gjithë kombi i tij mbante veshur më krenari.
Botuar në “Shqiptari i Italisë”

No comments: