Wednesday, August 11, 2010

Filatelia Shqiptare : Tranzicion dhe gabime të patolerueshme

Një periodizimin që i bëhet filatelisë shqiptare një vend të rëndësishëm ze edhe periudha pas vitit 1990. Në këtë kohë, siç dihet, në Shqipëri u krye kalimi nga shteti i diktaturës së proletariatit në demokracinë pluraliste, nga centralizimi i çdo aspekti të jetës në liberalizimin e shumë gjërave, rrjedhojë e futjes së saj në rrugën e demokracisë dhe të ekonomisë së tregut. Ndryshimet e ndjeshme që ndodhën kudo nuk mund të mos përfshinin edhe fushën e filatelisë.
Për t’i kuptuar më mirë këto ndryshime është e nevojshme të njihet e vlerësohet drejt raporti midis historisë së filatelisë sot me historinë e kombit në kuptimin e gjerë si histori ideore, etno-kulturore, shpirtërore. Ato janë të lidhura ngushtësisht midis tyre; e para është pjesë përbërëse shumë e rëndësishme e së dytës. Filatelia, në tërësinë e vet, përfaqëson një sistem specifik që e shfaq veten të projektuar në kohë historike dhe në rend kronologjik. Nga kjo pikëvështrimi, skicimi i historisë së filatelisë sot kërkon një rivlerësim të vlerave më të mira filatelike shqiptare.
Dy-tre vitet e para të tranzicionit, 1991-1993, gjërat ecnin për inerci, sigurisht me lëkundje të mëdha, të përligjura për kushtet e kohës. Kështu, p.sh., një dukuri interesante u vu re në historinë postare. Meqënëse, si rrjedhojë e rritjes kudo të çmimeve, edhe tarifat për afrankimin e korrespondencës postare pësuan të njëjtën gjë, ndërkohë që vlerat e pullave ekzistuese ishin relativisht të ulëta, pasi ishin emetuar për t’iu përgjigjur kërkesave të mëparshme, dërguesi detyrohej të vendoste në zarf një numër të madh pullash. Ndodhte që një zarf që qarkullonte brenda vendit të kishte të ngjitura rreth 40 copë pulla, kurse për jashtë shtetit shumë më tepër, aq sa s’ kishte vend për të shkruar adresën e marrësit, sepse bardhësia e zarfit humbiste tërësisht nga vulat e shumta. Pra, pullat mbulonin njëra tjetrën.
Ndryshimi i parë i dukshëm në filatelinë shqiptare pas vitit 1990 ishte zgjerimi i mëtejshëm i tematikës së pullave. Si rrjedhojë edhe e ndryshimeve që u bënë në statusin dhe përbërjen e Komisionit Shtetëror të Pullës dhe të stafeve drejtuese në Drejtorinë e Përgjithshme të Postave, përcaktimet në tematikë filluan të bëhen më të menduara. Tanimë shumë tema që më parë konsideroheshin tabu, ose ishin të ndaluara kategorikisht të pasqyroheshin në pulla, dora dorës fituan të drejtën e qytetarisë.
S’ka më pulla të ndaluara...
Le ta argumentojmë këtë përfundim nëpërmjet një vështrimi të thjeshtë të katalogut të pullave të kësaj periudhe.
Fjala vjen, në qoftë se para vitit 1990 KSBE, Këshilli i Europës dhe NATO konceptoheshin si organizma armike ose, më e pakta, me të cilat vendin tonë nuk e lidhte asgjë, më 31 mars 1992 Shqipëria pranohet në KSBE dhe, me rastin e kësaj ngjarjeje, emetohet enkas një seri e veçantë pullash postare; pranohet në Këshillin e Europës dhe, më 29 korrik 1995, u bë e njëjta gjë, u emetua një emision për të; aspiron për t’u antarësuar në NATO dhe emeton dy seri pullash: më 25 prill 1999, i kushton një emision të posaçëm 50-vjetorit të krijimit të saj, kurse më 3 prill 2008 nxjerrë një tjetër seri kushtuar zyrtarizimit në samitin e Bukureshtit të ftesës për t’u antarësuar në NATO. Gjithashtu, në përgjigje të aspiratës së ligjshme të popullit shqiptar për t’u integruar në Europë, më 10 qershor 1992, emetohet një emision i titulluar “Drejt Europës”. Këtu po çel një parantezë. Pulla e këtij emisioni ka një gabim flagrant: flamuri i Bashkimit Europian, i vendosur në sfondin ngjyrë blu të pullës është bërë me 23 yje nga 12 që ka në fakt(!) Ky gabim dëshmon për kaosin dhe mungesën e plotë të përgjegjësisë që i karakterizonte organizmat përkatëse në vitet e para të demokracisë.
Duke vijuar më tej me liberalizimin dhe ndryshimet e dukshme në tematikë, shohim se, më 25 prill 1993, emetohet një emision i veçantë me portretin e papës Gjon Pali i Dytë në kuadër të vizitës së tij në Shqipëri; më 5 maj 1993; me rastin e 80-vjetorit të pullës së parë kombëtare shqiptare, emetohet një emision me portretin e Lef Nosit, ministër i Postave në qeverinë e Ismail Qemalit, por që u dënua dhe u ekzekutua pas çlirimit si kolaboracionist dhe anëtar i Regjencës në kohën e pushtimit gjerman; më 20 nëntor 1995, me rastin e 60-vjetorit të lindjes, vihet në qarkullim një seri me dy vlera për yllin e muzikës rrok, Elvis Presli; më 25 dhjetor 1996, emetohet një pullë me portretin e Gjergj Fishtës, i shpallur armik dhe poet antikombëtar; më 25 korrik 1997, emetohet emisioni për Faik Konicën, që dikur gjithashtu shihej me sy të keq; më 28 nëntor 1998 del një emision kushtuar kardinalit Mikel Koliqi, ish-i burgosur politik në periudhën e socializmit; emetohen shumë emisione me portretin e Nënë Terezës, fituese e çmimit Nobel; për të vazhduar me emsionin e 15 marsit 1999 kushtuar figurave të shquara amerikane, presidentëve Uashington e Uillson dhe luftëtarit të mirënjohur kundër racizmit, Martin Luter Kingut; me emisionin e 10 qershorit 2007 me rastin e vizitës së presidentit amerikan Xhorxh V. Bush [George Ë. Bush] në Shqipëri; me emisionin e 22 prillit të vitit 2000, që evokon 2000-vjetorin e krishtërimit; me emisionin e 22 shkurtit 2001, me dy vlera, ku paraqiten dy figura të shquara të fesë bektashiane e kështu me radhë.
Në këtë kuadër vlen të theksohet se u thye edhe një tabu tjetër: për herë të parë në historinë e filatelisë shqiptare, përjashtuar Zogun dhe Enver Hoxhën, në emisionin me figura të shquara të sportit, emetuar më 3 qershor 2002, fiksohet në pullë portreti i një personi të gjallë, ngritësit të shquar të peshave, Mjeshtrit të Merituar të Sportit, Ymer Pampuri.
Natyrisht zgjerimi i tematikës ia rriti dimensionet dhe i dha më shumë frymëmarrje filatelisë shqiptare. Po kështu, vendosja e pluralizmit bëri që të hiqet dorë nga politizimi e ideologjizimi i pullave. Karakteristikë është se në këto vite nuk gjen, p.sh., asnjë emision që t’i kushtohet një force politike të caktuar, ndonëse jo pak të tilla kanë ardhur dhe janë alternuar në pushtet.

Vërejtje kritike për temat...
Por edhe pse është punuar përgjithësisht mirë, nuk mund të mëtohet se është arritur gjithçka dhe se s’ka vend për përmirësime. Është kjo arsyeja që filatelistë të ndryshëm dhe organi i Shoqatës së filatelistëve të Shqipërisë, revista Koleksionisti, në disa numra të saj, kanë botuar jo pak shkrime me theks kritik. Madje kjo revistë ka pasur një rubrikë të posaçme për këtë qëllim, të titulluar “Për pullat postare që emetohen nga Posta Shqiptare”.
Në këtë kuadër po kujtoj këtu një shkrim të autorit Beqir Ndrukaj, i cili ka marrë përsipër “të analizoj emisionet e vitit 1999, vetëm si tematikë”. Ai, pasi jep informacionin se gjatë vitit 1999 u emetuan gjithsej 18 emisione me 40 pulla dhe 4 blloqe, e konsideron të padrejtë raportin midis vendit që ze në pulla tema kombëtare dhe tema e huaj. “Për temat kombëtare gjatë vitit 1999, - shkruan ai, -u emetuan 7 emisione me 20 pulla të ndryshme dhe 2 blloqe, kurse për tema të huaja 11 emisione me 25 pulla e 2 blloqe. Kështu Posta Shqiptare ka prodhuar vetëm 39 përqind të emisioneve me motive kombëtare dhe 61 përqind me tematikë të huaj.” Ky konstatim ndeshet lehtësisht edhe po t’i referohemi disa viteve të tjera pas vitit 1990.
Vërejtje e kritika për tematikën e disa emisioneve janë bërë edhe në shkrime të tjera të Koleksionitit. P.sh., në nr. 6 të vitit 2000, bëhet vërejtje për emetimin e një pulle për kompozitorin Gustav Mahler (1860-1911), me argumentin se “emrin e tij nuk e lidh asgjë me Shqipërinë” dhe se “për të treguar elementë të lidhjes së vendit tonë me Austrinë ka mjaft tema të tjera nga historia dhe kultura jonë e përbashkët”. Në këtë kuadër do të sillja në vëmendjen e lexuesit edhe vërejtjen për emisionin kushtuar 100-vjetorit të rrethit çiklistik të Francës. Në shkrim shtrohet pyetja pse duhet kremtuar ky përvjetor, kur vetë posta franceze nuk e ka përkujtuar asnjëherë(?!)

Përmirësohet cilësia estetike...
Sigurisht paraqitja shumë më e mirë estetike është një dukuri e spikatur e pullave postare shqiptare pas vitit 1990. Kjo, nga njëra anë, falë teknologjisë së lartë tipografike dhe, nga ana tjetër, si rrjedhojë e një kujdesi të veçantë për t’u përballur me nivelin më të mirë të filatelive të vendeve të tjera. Deri në vitin 1994, siç është theksuar edhe më sipër, pullat shtypeshin në vend, në ish-ndërmarrjen kartografike në Tiranë. Pas këtij viti ato u prodhuan fillimisht në Zvicër, më pas në Mbretërinë e Bashkuar dhe deri në fund të vitit 2005 në Greqi. Duke filluar nga viti 2007, shtypja e tyre filloi të bëhet përsëri në vend, në shtypshkronjat “Ilar” dhe “Nënë Tereza”, në Tiranë. Emisioni i parë i shtypur në shtypshkronjën “Ilar”, datohet në qershor 2007, dhe është pikërisht ai kushtuar vizitës në Shqipëri të presidentit të ShBA-së, Xhorxh V. Bush.
E vërteta është se ka një dallim shumë të madh përsa i përket paraqitjes estetike midis pullave që janë vënë në qarkullim para vitit 1994 dhe atyre pas këtij viti e deri në ditët e sotme. Ndryshimi është i jashtëzakonshëm edhe në elementet aksesorë që shoqërojnë emisionet filatelike. Kështu, p.sh., ka vite që prodhohen cirkularë mjaft cilësorë për çdo emision veçmas dhe për të gjithë emisionet e një viti bashkë; vinjete, buklete e karnete të ndryshme etj. Duke filluar nga viti 1999 e në vazhdim, janë botuar albume shumë të bukur me të gjitha seritë e emetuara gjatë vitit, të cilat lehtësojnë së tepërmi koleksionimin e tyre.
Pullat e para 1990-ës...
Por edhe në këtë drejtim jo çdo gjë është e përkryer. Nuk mendoj, p.sh., se meriton këtë vlerësim pozitiv puna me zarfat FDC. Siç dihet, përpos pullave, për të përgatitur një FDC në parametra të lartë cilësorë, duhet që vetë zarfi që zgjidhet të plotësojë disa kërkesa si: lloji i letrës së përdorur për përgatitjen e tij, formati, kompozimi grafik etj. Por po kaq e rëndësishme është edhe realizimi i vulës së posaçme që vendoset mbi zarf. Duke parë zarfat FDC të viteve të fundit rezulton se: përmasat e tyre kanë ndryshuar disa herë, gjë që ua vështirëson filatelistëve koleksionimin. Po kështu, vulat e posaçme shpesh, kur preken me dorë, fshihen, bëhen të palexueshme, pasi janë vendosur me bojë të thjeshtë mbi zarfa me letër të shkëlqyeshme, kur dihet se, siç dëshmon përvoja, vendosja e vulave me seriografi është shumë më cilësore. Posta shqiptare e ka pasur këtë mundësi dhe në vite i ka realizuar me sukses vulat seriografike, ndërsa aktualisht ka hequr dorë prej tyre dhe zbaton një rrugë më të thjeshtë, por jo rezultative. Vite të shkuara, para 1990-ës, në disa raste Shqipëria është kritikuar si vend me mangësi jo të vogla në seriozitetin filatelik. Kjo për arsyen se, duke mos zbatuar si duhet rregullat e Bashkimit Botëror Postar, emetimi i pullave pati një fluks të madh. Atëhere, siç e theksuam edhe më sipër, nuk bëheshin studime rregullisht. Seritë emetoheshin shpesh, madje kishte raste edhe dy herë në muaj, me shumë pamje, të dhëmbëzuara e të padhëmbëzuara, me sasi të mëdha, sidomos të pullave të dhëmbëzuara, që ia kishin zili edhe shtete me popullsi sa njëzet herë ajo e vendit tonë. Ky është një fakt i njohur, madje i kritikuar edhe në shtypin vendas. Pullat e asaj periudhe, edhe sot pas kaq shumë vitesh, gjenden lehtësisht.

Dalin bashkë emetimet e dy viteve njërazi
Po aktualisht a konstatohen defekte që cënojnë seriozitetin filatelik të vendit? Po, ndeshen të tilla. Edhe pse duhet pranuar se janë bërë ndryshime thelbësore, ende ka probleme që meritojnë më tepër vëmendje. Një pjesë janë të akumuluara nga e kaluara, por ka edhe të reja, të periudhës pas 1990-ës. Në qoftë se janë bërë hapa të mëdha përpara për depolitizimin e pullave, gjerat e tjera nuk kanë lëvizur me të njëjtin ritëm. Për ta ilustruar këtë përfundim, po ndalem për një çast në një emision me tematikë nga bota, me katër pamje, me portrete të katër kompozitorëve të shquar. Ai u botua në vitin 1993, madje në pulla, veç të tjerave, shkruhet “Albania ’93", por, për neglizhencë të theksuar të administratës së postës, nuk u emetua në kohë. Për dy vjet ai mbeti në raftet e magazinës, ku e mbuloi pluhuri i harresës. U desh që ky qëndrim i papërgjegjshëm të bëhej problem nga filatelistët pa të vihej në qarkullim emisioni më 26 janar të vitit 1995. Jo pak mangësi u konstatuan edhe në veprimtarinë emetuese të vitit 1994. Nga disa ai u quajt “sukses i Postës Shqiptare”. Si argument u soll fakti se pullat u shtypën cilësisht më mirë, në Zvicër. Por kjo anë pozitive nuk mund të mbulonte kurrsesi disa aspekte që dëmtonin imazhin e Shqipërisë përsa i përket seriozitetit filatelik të saj. Kështu, p.sh., asnjë emision nuk u vu në qarkullim në kohë (në aspektin filatelik humbi aktualiteti i pullave), tirazhet e tyre, (pa folur për çmimet e larta), edhe pse nuk u publikuan zyrtarisht, filatelistët i dinin, kapnin afërsisht shifrat e viteve 1960-1970. Më konkretisht: emisioni kushtuar Kampionatit Botëror të Futbollit “USA ‘94" (ky u shtyp në vend), doli shumë kohë pasi ai kishte përfunduar. Gjithashtu seria kushtuar 50-vjetorit të Çlirimit doli rreth një vit më vonë. Ndër seritë e vitit 1994 kishte nga ato me tirazh rreth 100 mijë copë. Më tej: me përjashtim të dy vlerave (5 dhe 10 lekë) të emisionit kushtuar makinave të firmës “Benz”, asnjë vlerë tjetër nga pullat e këtij emisioni nuk u përshtatej tarifave masive postare në atë kohë.
Një situatë e tillë u përsërit 13 vjet më vonë, në vitin 2007. Emisionet e dy viteve, 2006-ës dhe 2007-ës, dolën njëkohësisht. E thënë ndryshe, asnjë nga emisionet e vitit 2006 nuk u vu në qarkullim në kohën e caktuar. Katalogu Michel, p.sh., për vitin 2006 ka fiksuar vetëm një emision, kurse të gjithë të tjerët, të planifikuar të dilnin po këtë vit, në fakt u vunë në qarkullim një vit më vonë, madje pas 5 tetorit 2007. Më konkretisht, nga 5 deri në 31 tetor 2007 u vunë në qarkullim 9 emisione, kurse brenda muajit nëntor 2007 dolën 16 emisione. Sigurisht ky fakt nuk kaloi në heshtje, madje u kritikua rreptë nga filatelistët.
Në gazetën Shqip, p.sh., u botua një shkrim i fortë kritik nga një koleksionist: “Para ca ditësh, -thuhet në shkrim, - dolën nga shtypi seritë e pullave postare shqiptare për vitin 2006 dhe 2007. Pa i hyrë davasë se si është e mundur që pullat e vitit 2006 dalin në fund të vitit 2007, pa i hyrë davasë se a janë të bukura a të shëmtuara, pa i hyrë davasë a duhej vënë kjo temë apo duhej vënë ajo tjetra, a e dini se sa gabime ka në ato pulla? …76 gabime drejtshkrimore në fjalët shqipe, 22 gabime logjike në tekstin shqip, 18 gabime drejtshkrimore në tekstin anglisht dhe 16 gabime logjike në tekstin anglisht. Të gjitha këto, jo në ndonjë libër me qindra faqe apo me kushedi sa volume, por në 127 pulla me rreth 800 fjalë gjithsej !!!. Pa zënë në këtë llogari që, në rreth 400 fjalë që kanë gërmën “ë” vetëm në 22 janë vendosur pikat, apo që “ë”-ja te “Shqipëria” herë shkruhet me pika e herë pa pika.” A nuk flasin këto fakte për mungesë serioziteti filatelik? Sigurisht.
Gabime të patolerueshme…
Për të argumentuar këtë, po ndalem vetëm te një emision, ai me kostume kombëtare. Seria përbëhet nga 12 vlera, me format 31x43 mm, të kompozuara në tabak. Një nga pullat e kësaj serie, e katërta në rreshtin e sipërm, paraqet një kostum gruaje, ndërsa teksti që shoqëron pullën është: “Kostum burri-Hoti”(!) Ky emision, sipas cirkularit vjetor të botuar nga Departamenti i Filatelisë i Postës Shqiptare, u emetua më 2 korrik 2007, me tirazh 4.000 seri të plota, por, kur u konstatua gabimi, u vendos të tërhiqej nga qarkullimi. Pjesa më e madhe e filatelistëve shqiptarë nuk arritën ta merrnin këtë emision. Sasia e vogël që u shit përgjithësisht ra në dorë të ndonjë tregtari pullash, i cili i rriti çmimin e shitjes disa dhjetëra herë. Bllokimi bëri që ky emision në historinë e filatelisë shqiptare tash e tutje do të figurojë me tirazhin më të vogël të të gjithë emisioneve të prodhuara pas vitit 1945. Po sa është realisht numri i serive në qarkullim nga ky emision? Për këtë deri tani nuk ka asnjë informacion të saktë e transparent. Personalisht mendoj se nuk do të kishte asgjë të keqe në qoftë se Drejtoria e Përgjithshme e Postave do ta deklaronte atë publikisht.
Një rast tjetër që flet gjithashtu për cënim të seriozitetit filatelik është edhe ai i emisionit me mbishtypje, me 15 vlera, që u vu në qarkullim në dhjetor të vitit 2006. Historia e këtij emisioni ngjan shumë me atë të serisë së emetuar gati 40 vjet më parë, në dhjetor 1970, dhe të emërtuar nga filatelistët si “Industriali” ose “Oxhaqet”.
Pas gjysmës së parë të vitit 2006, në zyrat postare filloi të ndihej mungesa e pullave për afrankim, pasi kishte një vit që nuk ishin shtypur pulla. Për të kapërcyer situatën e emergjencës, u vendos që brenda një kohe të shkurtër të prodhohej me mbishtypje një emision i ri. Nga magazina e postës u nxorr një sasi e madhe pullash të 15 pullave me pamje të ndryshme, që u përkisnin disa emisioneve të mëparshme. Atyre iu vu si mbishtypje një drejtkëndësh në ngjyrë të zezë, me të cilin mbulohej vlera e mëparshme, që ishte 20 lekë, dhe shkrimi me vlerën e re “40 lek”. Në shkrimin “40 lek” bie në sy menjëherë një gabim elementar drejtshkrimor, mungon gërma “ë”. Fjala “lek” në të gjitha pullat duhej të ishte shkruar “lekë”. Gjithashtu në një pjesë të pullave vihen re raste, lehtësisht të dallueshme, të spostimit dukshëm të mbishtypjes.
Ky emision me mbishtypje u vu në qarkullim pa zbatuar rregullisht procedurat e njohura ligjore dhe pa njoftuar më parë organizmat përkatës ndërkombëtarë, UPU-në. Është kjo arsyeja që emisioni nuk ekziston as në fletëpalosjen e pullave të vitit 2006 dhe as në atë të vitit 2007. Për të nuk u dha publikisht asnjë informacion.
U desh që filatelisti Bajram Peçi, ashtu si dhe 40 vjet më parë, t’i shkruante UPU-së dhe katalogut Michel. Vetëm pas këtij njoftimi Drejtorisë së Përgjithshme të Postave iu kërkuan shpjegime dhe informacione e mandej ky emision u katalogua nga Michel, sigurisht pa asnjë të dhënë për tirazhin e serive të plota, kurse data e vënies në qarkullim jepet e papërcaktuar (nëntor-dhjetor 2006).
Për këtë emision ka pasur edhe një prodhim të dytë, që dallon nga i pari nga boja e mbishtypjes. Në qoftë se herën e parë boja e mbishtypjes ishte me shkëlqim, herën e dytë nuk ishte e njëjta bojë: ishte mat, pa shkëlqim. Me këtë bojë mat janë mbishtypur 8 nga 15 pullat e emisionit, të cilat shërbyen për të plotësuar detyrimet për kontigjentin e UPU-së etj.
Disa dukuri negative u konstatuan edhe në emetimet e pullave postare të vitit 2009, madje ndonjë ishte vërtetë skandaloze. Fjala është për emisionin “65-Vjetori i Çlirimit të Shqipërisë”. Në të dy pullat e tij janë fiksuar pamje që s’kanë asnjë lidhje me Shqipërinë, përpos vendosjes formale të simbolit të shqiponjës dykrenare. Në pullën me vlerë 70 lekë, p.sh., është fiksuar portreti i një komisari të Ushtrisë së Kuqe, hero i ish-Bashkimit Sovjetik, me të cilin autori i bocetit, jashtë çdo logjike, ka zëvendësuar partizanin shqiptar. Kjo foto është bërë pullë dhe kartëpostare në ish-Bashkimin Sovjetik dhe është shumë e njohur. Po kështu mjaft e njohur është edhe fotoja tjetër, e vendosur në pullën me vlerë 200 lekë, që paraqet një skuadrilje bombarduesish amerikanë në Japoni, në vitin 1945. Pra, emisioni është ndërtuar mbi dy foto të huaja, të marra në internet.
Një gabim i patolerueshëm u vu re edhe në emisionin “Iso-Polifonia Shqiptare”. Në të dy pullat është shkruar keq emërtimi i institucionit të OKB-së: në vend të UNESCO (United Nations Educational, Scientific and Cultural Organization) shkruhet Unesco (!)
Çmimet spekulative...
Të kalojmë tani te një problem tjetër që gjithashtu lidhet me seriozitetin filatelik të shtetit: çmimi i pullave. Në disa raste, pas vitit 1990, qëndrimi për çmimet gjykoj se ka qenë spekulativ. Për të argumentuar këtë përfundim kam bërë një ballafaqim të disa çmimeve me tarifat postare. P.sh., në qoftë se deri në vitin 1991 të dërgoje një zarf të thjeshtë brenda vendit duhej një vlerë 2,50 qindarka, kurse për një tjetër rekomande 80 qindarka, në vitin 1994 këto tarifa ishin përkatësisht 5 dhe 10 lekë. Nga një përllogaritje e thjeshtë rezulton se u bë një rritje e tarifave rreth 20 dhe 12 herë. Po vlera e një emisioni të ri pullash sa u rrit? Edhe këtu llogaria bëhej thjeshtë: mesatarisht rritja kapte shifrën mbi 50 herë. Krahasuar me Gjermaninë, e cila është ndër shtetet me filateli më të zhvilluar e më serioze në botë, realiteti paraqitej i tillë: në vitin 1992, Shqipëria kishte emetuar emisione që në tërësi kishin 41 pulla me vlerë të përgjithshme 168.1 lekë ose, për çdo pullë, 4.1 lekë, në vitin 1994, Shqipëria kishte emetuar 19 pulla me vlerë të përgjithshme 1.078 lekë, ose për çdo pullë 56.73 lekë. Pra, brenda dy vjetëve kishte një rritje 14 herë. Kurse në Gjermani rritja e vlerës mesatare të një pulle ndryshon nga njëri vit në tjetrin me shifra të papërfillshme pas presjes dhjetore. Akoma më e dukshme ishte rritja e çmimit të zarfave FDC. Vetëm zarfi i ilustruar pa pullë shkonte nga 90-150 lekë, kur në Gjermani kapte shifrën 40.60 lekë. Këto dukuri u kritikuan nga filatelistët që në atë kohë, madje u konsideruan abuzim me hobin e tyre.
Përfundime...
Prej këtej nuk është vështirë të arrihet në një përfundim: dikur filatelistëve u jepeshin pulla me tollon (filatelia ishte fusha ku tolloni jetoi më gjatë) dhe pengoheshin të kishin korrespondencë me kolegë të huaj, veçanërisht me filatelistë të vendeve perëndimore. Ky ishte një qëndrim absurd. Por po kështu paradoksal ishte edhe qëndrimi në ato vite me çmimet e larta të pullave, që i vinte filatelistët në të njëjtin pozicion. Me mundësitë ekonomike të kufizuara që kishin e kanë, ata mezi arrijnë të blejnë pulla vetëm për koleksionet e tyre dhe jo më për të shkëmbyer me kolegë në vende të tjera. Ja dhe një shembull nga viti 2007: një seri e emisionit të zakonshëm “Flamuri shqiptar”, me 12 pamje të ndryshme të flamurit kombëtar, që u emetua në atë vit, kushtonte 3.465 lekë; vetëm një vlerë e tij kishte çmimin 2.000 lekë (!). Po kështu ka ndodhur edhe me emisionin e vitit 2009 “Qarkullimi rrugor”, i cili përbëhet nga dy pulla, njëra prej të cilave ka vlerën 1000 lekë (!).
Rrjedhojë e një anormaliteti të stërzgjatur ka qënë edhe grumbullimi gjatë periudhës 1945-1990 i stoqeve të jashtëzakonshme të pullave në magazinën e Postës. Në vlerë ato kapnin shifrën 180 milionë lekë. Për këto pulla filatelistëve shqiptarë u ishte vënë prej kohësh “embargoja”, kurse të huajve, me një vendim absurd, vetëm pse paguanin në valutë të huaj, e kishin të çelur dritën e gjelbër. Ky qëndrim i kritikuar me shumë të drejtë, përpos se nuk ishte aspak dashamirës, ishte edhe fyes e diskriminues për filatelistët shqiptarë.
Në këtë kuadër është i pashpjegueshëm edhe qëndrimi që është mbajtur për vulat postare të posaçme, kryesisht të ditës së parë të emetimit. Filatelistët shqiptarë e kanë pasur të pamundur të bëjnë vulosjen e pullave me këto vula. Këtë problem ata ia kanë ngritur Drejtorisë së Përgjithshme të Postave, por asnjëherë nuk morën përgjigje pozitive. Realisht ai është një problem që i preokupon edhe aktualisht filatelistët. Këto vula janë pjesë e koleksionit, por mjaft filatelistëve u mungojnë. Dhe kjo jo për neglizhencë të tyre, por ngaqë një pjesë, p.sh., janë përdorur për vulosje pullash për panaire ndërkombëtare. Po kështu filatelistët kanë kërkuar vazhdimisht që, brenda një kohe të caktuar, sa e shikon të arsyeshme Drejtoria e Postave, t’u jepet mundësia të bëjnë vulosje pranë zyrave postare me vula të posaçme, por kjo kërkesë gjithnjë ka rënë në vesh të shurdhët.
Natyrisht, me sa u tha më sipër, nuk mund të shterret tërë ajo gamë e gjerë problemesh që ka pasur e vazhdon të ketë për disa gjëra filatelia shqiptare, por dhe nuk mund të sillen argumente për të dëshmuar seriozitet të plotë filatelik. Shqipëria mbetet ndër të paktat vende të botës pa një katalog serioz të pullave të saj, thuajse pa asnjë lloj literature filatelike në libraritë dhe në bibliotekat e saj, pa ndonjë shitore serioze ku të tregtohen llojet e ndryshme të materialeve filatelike etj.

No comments: