Friday, July 23, 2010

Skuadrat shqiptare në Evropë, Çfarë lamtumire. Golaverazhi 27-7

Skuadrat shqiptare i kanë dhënë lamtumirë Kupave të Europës për edicionin 2010-2011. Të fundit që kanë larë duart me këto evente kanë qenë Tirana dhe Besa, pjesëmarrëse në "Europa League". Natyrisht, janë skualifikuar për më tej, por kanë pësuar nga "një thes" me gola secila. Tirana, plot 5 të tillë me FC Utrecht-in, 4 në transfertë dhe 1 në shtëpi (me hungarezët e ZTE kishte barazuar 0-0 në Tiranë dhe fituar 1-0 në kthim, në kohën shtesë, në raundin e parë), ndërkohë që vetë ka "firmosur" golin e nderit, ndërsa Besa është shpartalluar tërësisht në dy sfidat me grekët e Olympiacos-it. Nëse ndeshjen e parë e ka humbur 5-0 në "Qemal Stafa", kurse ne sfidën e kthimit, në Athinë, është ndëshkuar edhe më thellë, me shifrat 6-1. Ashtu si bardheblutë, të paktën edhe verdhezinjtë e Kavajës kanë realizuar të ashtuquajturin "gol nderi". Por ama kanë pësuar plot 11 të tillë. Më shumë se shkatërrim, turpërim i tyre! Ndërkohë, para pak ditësh, ishte Dinamo, kampionia në fuqi e Shqipërisë, që u eliminua që në turin e parë të Ligës se Kampioneve, nga Sherif Tirapol i Moldavisë. Humbja në sfidën e parë, në Tiraspol, 3-1, nuk u rikuperua dot në sfidën e kthimit, në "Qemal Stafa", sepse Dinamo nuk shkoi më tej se një fitore minimale 1-0. Gjithsesi, të paktën e fitoi njërën ndeshje, pavarësisht se nuk siguroi dot kualifikimin. I pari që e nisi dhe e bistisi me turp pjesëmarrjen në Kupat e Europës, ishte Laci, debutues në kësi eventesh. Ndaj Dnepr Mogilev, kurbinasit barazuan 1-1 në sfidën e parë, luajtur në "Niko Dovana" të Durrësit, por u mundën thellë 7-1 në kthim, në Bjellorusi, cka u pasua me zëra për shitje të ndeshjes nga lojtarët, të cilët edhe u përjashtuan nga presidenti Pashk Laska. Zëra për shitje të ndeshjes në Utrecht pati edhe nga trajneri i Tiranës, Starova, që akuzoi lojtarët e vet, por më pas iu vu kapak kësaj historie, si edhe shumë të tjerave, duke bërë "mea culpa".
Sikurse shihet, duke bërë një llogaritje të thjeshtë, golaverazhi i skuadrave shqiptare në Kupat e Europës, për edicionin 2010-2011, është mëse negativ:
Gola të shënuar: 7
Gola të pësuar: 27


Ja edhe rezultatet e skuadrave tona në Kupat e Europës, për këtë edicion:

"Champions League"
FC Sherif Tiraspol - Dinamo 3-1
Dinamo - FC Sherif Tiranspol 1-0

"Europa League"
Laci - Dnepr Mogilev 1-1
Dnepr Mogilev - Laci 7-1

Besa - Olympiacos 0-5
Olympiacos - Besa 6-1

Tirana - ZTE 0-0
ZTE - Tirana 0-1

FC Utrecht - Tirana 4-0
Tirana - FC Utrecht 1-1

No comments: