Friday, July 30, 2010

Sekretet, zyra e NATO inspektoi Shqipërinë

Bledar Hoti

Nga Shqipëria nuk ka rrjedhje të informacionit të klasifikuar të NATO-s në drejtim të vendeve jo-anëtare të Aleancës ushtarake”. Kështu shprehet në intervistën e tij, drejtori i Drejtorisë së Vettingut (verifikimit të figurës) dhe Regjistrit Qendror pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Mark Ndreca.
Si shpërndahet informacioni i marrë nga NATO? Sa garanci ka Drejtoria që nuk do të ketë rrjedhje të informacionit të klasifikuar?
Shkëmbimi i informacionit të klasifikuar në mënyrë të ndërsjelltë ndërmjet Shqipërisë dhe NATO-s realizohet prej disa kohësh, bazuar në standarde të mirëpërcaktuara ligjore. Këto standarde aplikohen nga i gjithë sistemi i regjistrit, në të cilin përfshihet zyra e regjistrit qendror pranë DSIK dhe zyra të regjistrit, të ngritura në ministri ose në institucione shtetërore. Natyrisht, për të realizuar sigurinë e këtij informacioni është dashur që të plotësohet paketa ligjore për informacionin e klasifikuar. Për këtë ne kemi disa VKM, në të cilat bëhet fjalë për aplikimin e standardeve të sigurisë së informacionit në të gjitha disiplinat e tij. Pra, kur themi në disiplinat e sigurisë, nënkuptojmë aspektet e sigurisë fizike të informacionit, të sigurisë së personelit i cili punon me këtë informacion të klasifikuar, të sigurimit të informacionit të klasifikuar në rrjetet informatike, mjetet dhe pajisjet e transmetimit. Të gjitha standardet e aplikuara në legjislacionin tonë janë standarde në një farë mënyre të huazuara nga dokumenti i Politikës së Sigurisë së NATO-s, që është ‘bibla’ e punës sonë...
Cila është e drejta e aksesit të informacionit të klasifikuar të NATO-s ?
Natyrisht, e drejta e aksesit përcaktohet vetëm nga parimi mbi nevojën për njohje. Dhe nevoja për njohje nënkupton atë që personat mund të njihen me informacionin e klasifikuar vetëm për shkak të përmbushjes së detyrave zyrtare. Ky është kushti i parë që duhet të plotësojnë personat për t’iu dhënë e drejta e aksesit të informacionit të klasifikuar të NATO-s. Por nuk mjafton të kesh nevojë për njohje, duhen plotësuar dhe kushte të tjera, dhe një nga kushtet e rëndësishme është pajisja e personave me certifikatë sigurie të përshtatshme.
Çfarë do të thotë pajisja me certifikatë sigurie të përshtatshme?
Çdo person që duhet të njihet me një informacion të klasifikuar të nivelit sekret, duhet të ketë një certifikatë sigurie të nivelit sekret. Ose, nëse do të njihet me një informacion të klasifikuar të NATO-s “kozmik-top sekret”, ai duhet të ketë një certifikatë të këtij niveli. Pra, kjo quhet certifikatë sigurie e përshtatshme. Po kështu dhe për informacionin konfidencial duhet të ketë një certifikatë të tillë. Pajisja me certifikatë sigurie e personave ka procedura të mirëpërcaktuara. Ministritë e institucionet shtetërore, në kuadër të respektimit të parimit nevojë për njohje, kanë detyrimin që të përcaktojnë me akt normativ të titullarit të institucionit ose të ministrisë dy lista funksionesh organike. Së pari, listën e funksioneve organike, që për shkak të detyrave zyrtare, funksionet e mëposhtme duhet të njihen me informacionet e klasifikuara ‘sekret shtetëror’ të natyrës kombëtare, të shteteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare, por këtu jo të NATO-s. Lista e dytë është ajo e funksioneve organike, që për shkak të detyrës zyrtare do të njihen me informacionin e klasifikuar të NATO-s. Pra, për NATO-n ka një listë të veçantë. Mund të rezultojë që një funksion i caktuar mund të ketë të drejtën të njihet me informacionin e klasifikuar “kombëtar”, por jo me të NATO-s dhe anasjelltas. Ose i njëjti person mund të ketë të drejtën e njohjes së dy informacioneve. Natyrisht, qarkullimi i informacionit të klasifikuar të NATO-s kryhet vetëm përmes sistemit të regjistrit.
Sa është numri i personave të certifikuar në institucionet tona?
Natyrisht, certifikimi i personave në administratë është një proces dinamik, i cili kushtëzohet nga nevoja e institucionit për një periudhë të caktuar. Certifikimi i përgjigjet gjithmonë listës së funksioneve organike, që për shkak të detyrave në një moment të caktuar, është e nevojshme të njihet me një informacion të klasifikuar. Pra nuk mund të themi një shifër, kemi bazën e të dhënave, por kjo është shifër dinamike dhe në ndryshim të pandërprerë. Ajo që duhet theksuar është se, asnjë person nuk mund të njihet me informacionin e klasifikuar të NATO-s, pa qenë më parë i pajisur me certifikatën e sigurisë së përshtatshme dhe i vënë në dijeni për të gjitha detyrimet e përgjegjësitë që ai ka për administrimin e informacionit, në bazë të legjislacionit tonë në fuqi dhe në bazë të kërkesave të dokumentit të politikës së sigurisë së NATO-s.
Kohët e fundit ka pasur një debat në lidhje me rrjedhjen e informacionit. Në komisionin parlamentar të Sigurisë ka qarkulluar një lajm dhe madje ka pasur debat, sikur informacionet e NATO-s shpërndahen në vendet që nuk janë anëtare të kësaj Aleance. A është vënë në dijini drejtoria juaj, dhe si është vepruar?
Natyrisht, detyra e DSIK si autoritet kombëtar i sigurisë së informacionit të klasifikuar të NATO-s, është që të mbikëqyrë veprimtarinë e institucioneve që e posedojnë këtë informacion të klasifikuar të NATO-s. Por ne, deri në këtë moment nuk kemi asnjë të dhënë që të ketë rrjedhje të informacionit të klasifikuar të NATO-s. Natyrisht, kjo është edhe nga inspektimet tona periodike pranë ministrive dhe institucioneve shtetërore, ky fakt është edhe nga inspektimet që bën zyra e Sigurisë së NATO-s pranë drejtorisë sonë, që bëhen jo më pak se një herë në vit. Edhe inspektimet e kësaj zyre sigurie, pranë të gjitha institucioneve dhe ministrive ku ka zyra në regjistrin e informacionit të klasifikuar të NATO-s. Ne nuk kemi as informacione nga shërbimet e inteligjencës që të konfirmojnë që, punonjës të caktuar të pajisur me certifikatë sigurie kanë përhapur në mënyrë të paautorizuar informacionin e klasifikuar të NATO-s. Pra deri më tani mund t’ju konfirmoj se Shqipëria është gjetur në çdo rast si një vend që ka respektuar dhe përmbushur të gjitha detyrimet në fushën e sigurisë e informacionit të klasifikuar të NATO-s.
Pra, në atë çka është deklaruar nga deputetët dhe ka pasur debat në media, nuk është e vërtetë që ka një rrjedhje informacioni?
Natyrisht, debatin si çdo qytetar tjetër e kam ndjekur përmes shtypit. Nuk marr përsipër për të hyrë dhe bërë pjesë e këtij debati. Mund të them se nga ana jonë, nga DSIK, mund të konfirmohet se nuk ka rrjedhje të informacionit të klasifikuar të NATO-s.
Nga procedura e Vettingut (verifikimi i figurës së zyrtarit), sa persona janë futur në këto filtra dhe sa janë skualifikuar?
Natyrisht, procesi i Vettingut është një proces kompleks, i cili ka afate të përcaktuara dhe procesi i verifikimit kryhet në bashkëpunim të ngushtë me shërbimet e inteligjencës brenda vendit dhe shërbimet e inteligjencës që kemi këtu ne, e shtrijnë aspektin e verifikimit dhe tek shërbimet partnere. Po kështu, ky proces bëhet dhe përmes bashkëpunimit tonë si DSIK me homologët tanë me vendet anëtare të NATO-s. Këto janë si të thuash, mekanizmat që janë përfshirë në procesin e Vettingut. Ka edhe raste kur personave të caktuar u refuzohet pajisja me certifikatë sigurie. Natyrisht, kur u refuzohet sipas rregullit, këta persona nuk duhet të punojnë në ato pozicione, që për shkak të detyrave zyrtare u lind e nevojshme njohja me këto lloj informacionesh.

No comments: