Thursday, July 15, 2010

Mos i krahasoni fëmijët me njëri-tjetrin!

Krahasimi me fëmijët e tjerë hap plagë shumë të thella në botën shpirtërore të fëmijës, dhe mund t’i paraprijë shfaqjes së komplekseve të mëdha.
Veçanërisht, krahasimet e bëra në mes vëllezërve bëhen shkak të kompleksit së inferioritetit. Fëmijët duhet të vlerësohen pa u krahasuar, dhe sipas veçorive të karakterit të tyre.

Në edukimin e fëmijës është i rëndësishëm këshillimi dhe dhënia e një shembulli të mirë. Por, nëse ky shembull jepet në trajtën e krahasimit, atëherë e mërzit atë. Jo vetëm fëmijët dhe adoleshentët, por edhe të rriturit ndihen keq kur krahasohen me dikë tjetër. Çdo njeri zotëron veçoritë e tij të lindura ose të fituara nga kushtet e edukimit, çdo individ është i pashoq dhe i veçantë në vetveten e tij. Individët vlerësohen në bazë të performancës së paraqitur dhe kjo gjë duhet të merret parasysh kur vendosen disa qëllime. Kur krahasohet me dikë tjetër, fëmija mbart ndjenjën e mosmarrëveshjes me të tjerët dhe ndihet i vetmuar, ndjenja e mosmarrëveshjes në atë moment mund të hap rrugën e zemërimit, urrejtjes dhe hidhërimit.

Pjesa më e madhe e krahasimeve bëhet në mes vëllezërve e motrave. Në të vërtetë vëllezërit ose motrat nuk ngjasojnë shumë me njëri-tjetrin. Bashkë me këtë ato zotërojnë edhe cilësi, veçori të lindura, por në të njëjtën kohë ato ndikohen nga shumë ndryshime, si sëmundjet, aksidentet e kaluara para dhe pas lindjes, gjendja sociale-ekonomike, metoda e edukimit e nënës dhe babait, eksperienca e tyre, lindja, etj . Të gjitha këto ndikojnë në krijimin e personalitetit dhe në vendosjen e një komunikimi me të tjerët. Edhe binjakët e një veze madje kanë veçori krejt të ndryshme nga njëri-tjetri.

Suksesi, bukuria, ndihma ndaj prindërve, komunikimi i mirë me të tjerët, mund të jenë disa nga shkaqet e krahasimit. Në disa familje kjo është bërë diçka krejt normale dhe e zakonshme. Krahasimi nuk bëhet vetëm nga nëna apo babai, por bëhet edhe nga pjesëtarët e tjerë të familjes apo të afërmit.

Krahasime apo fajësime, si: “Shiko vëllain, sa i rregullt është! Po ti pse je kaq i parregullt? Shiko sa i pastër është vëllai, po ti pse nuk kujdesesh për veten? Shiko sa i qetë është vëllai , po ti pse je kaq i mbrapsht? Bëhu dhe ti si ai!”, bëhen me mendimin e dhënies së një shembulli duke mos menduar efektet negative që japin.

Mund të hap plagë të thella

Disa krahasime mund të hapin plagë më të thella në botën shpirtërore të fëmijës dhe të përgatisin terrenin për shfaqjen e komplekseve të mëdha. Krahasime si, “vajza e vogël qenka më e bukur se e madhja, të paska ngjarë ty!; i madhi qenka më i zgjuar se i vogli apo jo? Duket nga notat!”, nëse bëhen shpesh fëmija i krahasuar do të ndihet keq dhe inferior. Ndërsa vëllai tjetër do të mburret pa shkak, dhe do të ndihet më i vlerësuar. Ndonjëherë fëmija i krahasuar njeh cilësitë e bukura të vetes së tij, por është i zemëruar me të rriturit, të cilët nuk pranojnë dhe nuk ia shprehin veçoritë e bukura të tij të ndryshme nga të vëllait.

Për shembull njëri nga fëmijët është shumë i suksesshëm sepse mëson dhe ka një nivel të lartë zgjuarsie akademike . Megjithatë, nuk i pëlqen të hyjë në rrethe sociale dhe vazhdimisht përpiqet të shmanget nga përgjegjësitë sociale. Ndërsa fëmija tjetër ka një nivel akademik pak më të lartë se normalja por është shumë i shoqëruar, i ndjeshëm dhe zbaton përgjegjësitë brenda familjes. Nuk është shumë i mirë në mësime. Vlerësimi i këtyre dy fëmijëve ndryshon nga familja në familje, nga një person tek tjetri.

Në vend të krahasimit duhet të jepet një shembull i mirë

Tregimi i shembujve nga jeta e më të mëdhenjve të familjes është një metode efektive. Por këtë duhet ta bëjmë pa krahasuar apo pa përdorur fjalët “ti nuk sillesh kështu!”.

Në vend të krahasimit është shumë e rëndësishme të komunikosh me fëmijën, të riun, dhe t’i tregosh se je pranë tij në çfarëdolloj momenti apo vështirësie që mund të kalojë. Pa bërë fajësime duhet të jepet si shembull një person i cili përjeton të njëjtat gjëra, por i cili ka pasur sukses dhe ka arritur të zgjidhë problemet e tij.

Në jetën e fëmijës dhe të të riut duhet të shfaqen momente ngrohtësie dhe afrimiteti, si vendosja e një dialogu të drejtpërdrejt me të rriturit , shëtitja së bashku, gatimi, rregullimi i kopshtit e të, etj. Tregimi i historive të jetës së të rriturve ndikon më shumë kur bëhet në ambiente natyrale.

Është shumë e dobishme që fëmijës t’i jepet rasti i njohjes me shokë, të cilët kanë cilësi të mira. Por nuk duhet të krahasohet me to, nuk duhet t’i thuhet të bëhet si ato, vlerësimi duhet të bëhet vetëm në vendin e duhur për njerëz me një sjellje të mirë.

Farika Teymur ARTIR (studiuese e psikologjisë)

No comments: