Monday, July 12, 2010

Inis Gjoni i rikthehet misit pas 12 vitesh

Inis Gjoni i rikthehet misit pas 12 vitesh

Nuk kanë mbetur gjatë sekret surprizat e spektaklit “Miss Shqipëria 2010”. Në këtë edicion të 12-të të konkursit të organizuar nga Petri Bozo do të konkurrojnë në Kalanë e Gjirokastrës, mbrëmjen e 1 korrikut, 32 vajza të përzgjedhura nga 450 pretendente të paraqitura në zyrat e “Deliart Association”. Si çdo herë tjetër, ato janë nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, trevat përreth por edhe vende të tjera ku jetojnë prej vitesh bashkë me familjet, si Italia, Greqia etj.
Ndërkohë grupi organizator së bashku me pretendentet është vendosur prej ditësh në qytetin e gurtë. Siç dihet tashmë, para konkursit vajzat janë pjesë e një turi, i cili këtë vit ka filluar në Jugun e bukur shqiptar. Por krahas kësaj, stafi ka filluar ngritjen e skenës dhe mbylljen e detajeve të fundit të spektaklit të madh, i cili duket se sivjet do të ketë shumë surpriza. Ato fillojnë që nga emrat e prezantuesve të mbrëmjes në të cilën do të shpallet mbretëresha e bukurisë për vitin 2010. Kështu këtë vit Petri Bozo ka ftuar dy personazhe interesante, të njohur në këtë fushë, miq të hershëm të “Miss Shqipëria”. Inis Gjoni dhe aktori Artan Imami do të jenë prezantuesit e këtij viti, në një spektakël që parashikohet të jetë jo vetëm i ethshëm për nga niveli i konkurencës, por edhe i mbushur me të ftuar që do të elektrizojnë mbrëmjen. E pyetur në lidhje me këtë eksperiencë, Inis Gjoni tregon: “Rikthehem tek ‘Miss Shqipëria 2010’ pas 12 vitesh pasi unë së bashku me aktorin e njohur Kastriot Çaushi kemi prezantuar këtë spektakël, kur ai u transmetua për herë të parë. Megjithëse jam e impenjuar me shumë projekte, pranova të jem përsëri pjesë e këtij spektakli pasi është kënaqësi të punosh me Petrin dhe me Aldën”.
Përveç këngëtarëve nga Italia dhe Greqia, të ftuar posaçërisht nga Bozo, emra të njohur shqiptarë do t’i shtojnë ritmin spektaklit. Eranda Libohova, mike e vjetër e këtij eventi, vëllezërit korçarë gjithashtu, Orinda Huta e Gerta Heta premtojnë të sjellin para publikut, sharmin, elegancën dhe shijen e muzikës së mirë e performancës së zgjedhur. Krahas tyre, performanca e vetë vajzave, të cilat garojnë për të rrëmbyer kurorën që prej një viti e mban bukuroshja korçare Ertemiona Meidani, premtojnë të shënojnë një natë vërtetë të paharrueshme në Kalanë e lashtë të Gjirokastrës.

No comments: