Saturday, July 31, 2010

Eva Alikaj, magjia e skenës

Besa Dodaj

Portret artisti

Në rubrikën, “Portret artisti”, sjellim një nga femrat më të talentuara të botës së artit shqiptar, aktoren nga Tirana Eva Alikaj. Inkuadrimi në botën e artit i solli shumë çmime prestigjioze, madje që në fillim të paraqitjes së saj. Alikaj lindi në Tiranë më 1961 dhe vetëm në moshën 21 vjeçare rrëmbeu çmimin si “Aktorja më e mirë”, në Festivalin e V të Filmit Artistik Shqiptar, me filmin, “Njeriu i mirë”, në vitin 1982.

Një vit më pas, ajo u diplomua për aktore në Akademinë e Arteve të Tiranës dhe iu bashkua trupës së Teatrit Kombëtar, ku dhe fillon të luaj së pari në rolin e Xhulietës në tragjedinë "Romeo e Xhulieta" të Shekspirit. Më vonë vazhdon të luajë me sukses në film, duke u vlerësuar me çmime të ndryshme, për interpretimin e saj të mrekullueshëm. Me rolin e Lindës tek "Shirat e vjeshtës", ajo rezervon “Medaljonin e Festivalit VI”, pastaj me rolin e Etlevës tek filmi, "Treni niset në shtatë pa pesë", merr çmimin e dytë. Ndërkaq me rolet e tjera ajo u vlerësua lartë nga kritika e filmit shqiptar, duke korrur sukses në të gjitha shfaqjet dhe filmat ku prezantohej. Vlen të theksohet se një nga rolet, me të cilin Alikaj njihet më shumë për publikun tonë, është ai i Elsës, në komedinë fantastike, “Pallati 176”. Loja e saj vlerësohej për sinqeritet dhe natyrshmëri të interpretimit, duke krijuar edhe një portret të veçantë të saj. Që nga viti ‘1991, aktorja jeton në Austri, për tu rikthyer shtatë vite më vonë më 2002 për të interpretuar në dramën "Ylli pa emër". Ndërsa para tri vitesh ftohet nga një regjisor shqiptar, për të interpretuar tek vepra e Çehovit "Xhaxha Vanja", por pa mundur ta realizojë rolin, për të cilin ishte thirrur. Një tjetër sukses në karrierën e saj është dhe interpretimi në një film austriak dhe në vitin 2007, ajo kthehet në Tiranë për të dhënë muzikalin, “Sot në mbrëmje:Lola Blau”, të autorit Georg Kraisler. Kësaj radhe Alikaj u rikthye në Tetarin Kombëtar të Tiranës, jo vetëm si aktore por edhe si regjisore dhe këngëtare.

Rrugëtimi nëpër role

Karriera e Eva Alikajt, është shumë e pasur, me interpretimin e roleve nëpër shfaqje dhe filma të regjisorëve të njohur shqiptarë. Përveç muzikalit austriak që shfaqi në Tiranë në vitin 2007, që shënoi dhe rikthimin e saj në skenë, Alikaj ka interpretuar në shfaqjen,”Valsi i Titanikut”, filmin, “Përdhunuesit”, rolin e Anës në “Jeta në duart e tjetrit”, rolin e Etlevës në, “Treni niset më shtatë pa pesë”, “Botë e padukshme” me Ilonën, Shirat e vjeshtës”, në shfaqjen, “Pallati 176”, rolin e Edlirës në, “Stolat në park” etj.

Eva Alikaj, magjia e skenës

Alikaj lindi në Tiranë më 1961 dhe vetëm në moshën 21 vjeçare rrëmbeu çmimin si “Aktorja më e mirë”.

Një vit më pas, ajo u diplomua për aktore në Akademinë e Arteve të Tiranës dhe iu bashkua trupës së Teatrit Kombëtar.

Një tjetër sukses në karrierën e saj është dhe interpretimi në një film austriak dhe në vitin 2007, ajo kthehet në Tiranë për të dhënë muzikalin, “Sot në mbrëmje:Lola Blau”.

No comments: