Friday, July 30, 2010

Erion Korini më nxiti të vrisja veten pasi më dhunoi

Ish-e dashura e këngëtarit Erion Korini, Marvina Stefa, është rimarrë në pyetje në Prokurorinë e Tiranës, për të dhënë deklarimet e saj rreth ngjarjes së 15 qershorit të këtij viti, ku ajo tentoi të vetëvritej. Vajza 24-vjeçare ka sqaruar çdo gjë që ndodhi atë ditë, duke theksuar faktin se këngëtari Korini, në kohën që e dhunonte fizikisht, mbante në dorë edhe një thikë të madhe. Forcat e policisë, pasi shpëtuan nga vetëvrasja Marvina Stefën, e cila sipas policisë në rast se nuk do të tërhiqej nga dikush, mund të kishte rënë nga kati i katërt, arrestoi këngëtarin Korini, me akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”. Tri ditë më pas, Gjykata e Tiranës, mori masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Gjatë kësaj kohe, kur Korini duhej të paraqitej në prokurori për të dhënë deklarime, siç e parashikon masa e gjykatës, veç tij organi i akuzës ka thirrur për të dëshmuar edhe ish-të dashurën e tij. Dosja hetimore me akuzën e “shkaktimit të vetëvrasjes”, në ngarkim të Erion Korinit ende nuk është mbyllur, por në muajin shtator pritet që Prokuroria të japë verdiktin përfundimtar.


Në lidhje me ngjarjen e datës 15 qershor, për të cilën unë kam bërë kallëzim, u qëndroj plotësisht thënieve të mia. Me Erion Korinin kisha rreth tre muaj që bashkëjetoja tek banesa e tij, në katin e katërt të një pallati të ri, që ndodhet në rrugën “Vaçe Zela”, në Tiranë. Gjatë kohës që jetonim bashkë kemi pasur vazhdimisht konflikte, bënin edhe konflikte me fjalë dhe gjatë këtyre momenteve, Erioni kalonte edhe në dhunë fizike, më godiste. Para se të ndodhte ngjarja ne kishim rreth tri ditë që kishim vendosur të ndaheshim dhe unë kisha paketuar rrobat e mia, por qëndroja ende aty, sa të gjeja një banesë tjetër. Po edhe në datën 15 qershor unë kam dalë nga shtëpia e Erionit rreth orës 10:00, pasi e kisha lënë me një shoqe për të gjetur një shtëpi me qira dhe çelësin e shtëpisë e kam lënë tek lokali poshtë pallatit. Rreth orës 14:00 jam kthyer, mora çelësin dhe shkova në shtëpi. Më pas, në momentin kur isha në ballkon, pashë që Erioni erdhi dhe u fut tek lokali poshtë pallatit. Zbrita poshtë, sepse unë do të dilja sërish dhe shkova tek lokali për t’i dhënë çelësin. Pashë që Erioni ishte ulur në tavolinë me këngëtarin Sabian Medini, i cili më ftoi të ulesha edhe unë në tavolinë me ta. Fillimisht kundërshtova, pasi do të shkoja të takoja pronarin e shtëpisë, që do të merrja me qira. Por Sabiani këmbënguli dhe unë u ula. Kam qëndruar me ta rreth orës 15:30 dhe pashë që Erioni dhe Sabiani konsumuan një sasi alkooli, pasi porosisnin herë pas here. U ngrita dhe më pas kam shkuar në këmbë deri tek “Medreseja”. Kur isha aty, më ka telefonuar Erioni dhe më ka thënë se nëse nuk do të shkoja për 15 minuta në shtëpi për të marrë rrobat e mia, do të m’i hidhte nga ballkoni. Unë mora një taksi dhe shkova në shtëpi. Pasi i rashë ziles së derës, më doli Erioni, i cili me sa pashë unë, kishte qenë duke bërë dush. Sapo hyra në shtëpi, Erioni mbylli derën e jashtme me çelës, hoqi çelësin nga dera dhe më urdhëroi të hyja në banjë. Unë isha shumë e tronditur nga sjellja e tij dhe hyra në banjë, ku Erioni hyri pas meje dhe sërish mbylli me çelës derën e banjës. Pa më lënë të flisja asnjë fjalë, filloi të më godiste me grushte dhe shqelma në pjesë të ndryshme të trupit, por më tepër më godiste në kokë. Mundohesha të mbrohesha me duar, duke tentuar edhe ta shtyja për ta larguar nga vetja, por ai ishte më i fuqishëm se unë dhe nga goditjet më përplaste tek muri. Duke qenë se dyshemeja e banjës ishte e lagur, unë rrëzohesha në tokë. Gjatë goditjeve edhe Erioni rrëshqiste dhe rrëzohej, por në këto momente ai mbahej tek flokët e mi. Nuk mund të them me saktësisë kohën sesa vazhdoi ai të më godiste, por në një moment pashë që ai kishte në dorë një thikë të madhe, nga ato që presin mishin, dhe ndërkohë vazhdonte të më godiste me grushte dhe shqelma. Nuk mbaj mend nëse Erioni në këto momente më ka thënë ndonjë fjalë kërcënuese, por unë jam ndjerë shumë e rrezikuar për jetën dhe kam qenë në një gjendje shumë të keqe emociononale, edhe për faktin se ai kishte mbyllur derën, kurse unë nuk kisha asnjë mundësi të shpëtoja nga sulmi i tij. Në një moment, Erioni ndërpreu goditjet, hapi derën e banjës dhe më tha të dilja. Unë dola dhe shkova në dhomën e ndenjes, në të cilin hyhet nëpërmjet korridorit. Gjatë këtij momenti, pashë që çelësi i derës së jashtme ishte tek biblioteka, pranë derës së banjës. U ula në divan dhe më pas u ngrita e dola në ballkon. Hipa sipër parvazit të ballkonit dhe tentova të kaloja tek ballkoni ngjitur. Sapo zbrita tek ballkoni, doli komshija dhe më tha të kthehesha sërish nga kisha ardhur, pasi nuk kërkonte të kishte probleme. Unë iu luta të më lejonte vetëm sa të dilja nga shtëpia e saj, por ajo nuk pranoi dhe unë u ktheva sërish tek ballkoni i Erionit. Nga ballkoni hyra sërish në dhomën e ndenjes dhe aty pashë që erdhi Erioni, i cili sapo hyri filloi të më godiste sërish me grushte dhe shqelma. I lutesha të mos më godiste më, pasi isha e sëmurë nga stomaku dhe më vinte për të vjellë, por ai nuk ndalonte dhe vetëm më godiste. Nuk mbaj mend nëse kishte në dorë ndonjë thikë, pasi edhe në dhomën e ndenjes ishte një thikë mbi tavolinën e ngrënies. Më pas, ai ndaloi goditjet dhe unë munda të shkëputem prej tij e të dal sërish në ballkon, ndërsa ai vazhdoi të qëndronte në dhomën e ndenjes. Në këtë moment nuk munda të kontrolloja veprimet e mia, por thjesht kisha si qëllim të dilja nga shtëpia për të shpëtuar nga goditjet e tij. Meqenëse gjatë kohës që ai më godiste unë bërtisja me zë të lartë dhe nuk po më vinte njeri në ndihmë, hipa sipër parvazit të ballkonit, në pozicionin ulur, me këmbët nga jashtë dhe fillova të bërtisja e të kërkoja ndihmë. Erioni, në këto momente ishte brenda dhomës së ndenjes, por unë nuk e shihja se ku, pasi më pengonte perdja, si dhe isha me shpinë, por thjesht flisja me zë të lartë duke i thënë të mos më afrohej më, pasi në të kundërtën do të hidhesha nga ballkoni. Nuk mbaj mend sa kam qëndruar në këtë pozicion, por siç duket, pasi nuk po më vinte njeri në ndihmë, jam varur nga jashtë ballkonit, duke u mbështetur te parakrahët e mi dhe e kapur tek pllaka e mermerit të parvazit. Në këtë moment kam dëgjuar nga poshtë disa persona të veshur civilë, të cilët më thoshin: - “Mos u hidh, pasi do të vijmë ne të të shpëtojmë, se jemi të policisë”. Në këtë kohë, pa u afruar, Erioni më tha që t’i tregoja se ku ishte çelësi i shtëpisë, pasi ai nuk po e gjente dhe nga jashtë dëgjoheshin të trokitura tek dera. Siç shpjegova, unë e kisha parë se ku ndodhej çelësi, pasi dola nga banja, por që nuk kisha mundësi ta merrja në atë çast dhe ia tregova Erionit. Pas pak çastesh në ballkon ka dalë një person, i cili pasi m’u afrua ngadalë, më tha që të mos trembesha, pasi do të më ngrinte dhe unë nuk kundërshtova. Pasi më ngriti, së bashku me të kemi hyrë në dhomën e ndenjes, ku pashë që kishte edhe disa persona të tjerë, të cilët siç thoshin ishin punonjës policie, si dhe disa persona të tjerë, të cilët duhet të ishin komshi, pasi i njihja si fytyra, por nuk ua di emrat. Më pas, disa punonjës policie me shoqëruan për në Spitalin Ushtarak, ku kam marrë mjekim dhe kam qëndruar një natë. Po në spital kam dhënë edhe kallëzim për sa ndodhi dhe shpjegova më lart. Dua të sqaroj edhe një herë momentin kur ndodheshim në banjë dhe Erioni kishte në dorë thikën. Nuk mund të them me saktësi nëse më kanoste me thikë për të më vrarë apo për të më goditur me të, por mbaj mend që e kishte në dorë dhe me dorën tjetër më kishte kapur nga flokët dhe ma mbante kokën poshtë, ndërkohë që unë nuk mundesha të shihja se çfarë veprimi bënte ai me thikën; thjesht e dija që ai e kishte në dorë dhe unë në këto momente nuk mund të shmangesha apo të mbrohesha. Shoqëruar me goditjet e vazhdueshme të tij, më krijonte një ndjenjë shumë të madhe frike për jetën time, pasi edhe dera ishte e mbyllur me çelës dhe unë nuk kisha asnjë mundësi për t’u larguar apo shmangur.

No comments: