Saturday, July 17, 2010

66 vjet nga dënimi me varje i Bule Naipit dhe Persefoni Kokëdhimës

Historia e dy Heroinave të Popullit që u varën në litar

Në rrokopujën e përditshme duket se koha nuk premton të merremi me të gjitha ato që ndodhin aktualisht. Duket se të gjithë jemi kapur në kurthin e së përditshmes, duke i anashkaluar si me hile ngjarjeve që kanë ndodhur tej së sotmes. Ndoshta ky nuk është kurth. Ndoshta është një gjykim në delir dhe mendjeshkurtër i cili parasheh se duke ngjitur në histori ngjarjet e ditës, ngjitim atje edhe personazhet e ditës. Duket se historia fillon sot dhe kjo është shprehja më e gabuar. Nëse ato që ndodhin sot do të jenë ose jo "histori", kjo do t’i mbetet një gjykimi shumë më vonshëm. Por ne e anashkalojmë këtë fakt. Ne thuajse me dashje harrojmë se ka edhe ca ngjarje, ka edhe ca personazhe të cilat tani e kanë fituar të drejtën e hyrjes në histori. Ne harrojmë se ka edhe njerëz të tillë të cilët me një akt të vetëm janë ulur në ballë të historisë. Një prej këtyre figurave është edhe Bule Naipi, Heroina e Popullit, e cila u var në litar nga forcat naziste më verën e vitit 1944.
Varja në litar e Bules dhe Persefonit
Më 17 korrik 1944 fashistët gjermanë varën në litar dy nga vajzat më trime shqiptare. Bulen e burgosën në kalanë e Gjirokastrës, ku qëndroi e papërkulur. Në një takim që pati me nenën e saj para se ta ekzekutonin, i tha: "E dashur nënë! Sot bija jote u dënua me vdekje nga kriminelët ballisto-gjermanë. Po të le lamtumirën e fundit, ma bej hallall gjirin që më ke dhënë. Në mesnatë, litari do të këpusë fillin e jetës sime. Qëndro e fortë! Duaje dhe mbroje fort çdo vajzë shqiptare, ashtu siç më doje dhe mua. Dita e çlirimit është e afërt. Partizanët do ta ma marrin hakun. Fitorja është e jona”. Ndërsa e shoqja e saj Persefoni Kokëdhima në momentin e varjes deklaroi se nuk pranon falje nga armiqtë.
Kush ishte Bule Naipi
Bule Naipi lindi në vitin në 1922, në Gjirokastër. Ajo ishte anëtare e Rinisë Komuniste së bashku me Qemal Stafën. Që në fillim të fëmijërisë së saj u përball me vështirësi të mëdha. I ati i saj largohet për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe lë vetëm Bulen dhe të vëllain, Sadon. Të dy fëmijët e familjes Naipi dalin partizanë, duke dhënë kontribut të madh në largimin e pushtuesit nazist nga Shqipëria. Bule Naipi pasi tregon trimëri të pashoq në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, përfundoi në duart e armikut, i cili e vari në datën 17 korrik të vitit 1944 në sheshin “Çerçiz Topulli”. Heroina edhe në momentet e fundit, e palëkundur përpara armikut tregoi një virtyt të lartë të vajzave shqiptare, edhe pse ishte vetëm 22 vjeç në atë kohë. Me shembullin e Bule Naipit dhe shoqes së saj Persefoni Kokëdhima iu tregua okupatorit se shqiptarët bëjnë një luftë të drejtë dhe të pabarabartë, dhe se me çdo kusht kjo luftë do të fitohet.

Emri: Bule
Mbiemri: Naipi
Viti lindjes: 1922
Vendlindja: Gjirokastër
Varja në litar nga gjermanët: 17 korrik 1944
Tituj: “Heroinë e popullit”

No comments: