Monday, September 1, 2008

Parasëgjithash, 2008 nuk është 1939


Me zhdukjen e kërcënimit të komunizmit dhe kërcënimit të ndërhyrjes së Moskës, koalicionet e vitit 1989 u copëtuan dhe forca të vjetra u rishfaqën

Për të penguar lëvizjet nacionaliste, sistemi sovjetik kishte një ideologji universaliste dhe një centralizëm politik shtypës. Me vdekjen e tij, çështjet e vjetra nacionaliste u rishfaqën, pavarësisht se në dukje qenë shtypur me sukses apo "zgjidhur" nga komunizmi. Sigurisht, kjo qe mashtruese dhe rezultati më drastik qe në ish-Jugosllavi, ku liberalizmi relativ dhe struktura multietnike e regjimit të Titos nuk i eliminoi trashëgimitë e para 1939. Është gabim t'ia atribuosh rishfaqjen e nacionalizmit të egër vetëm manipulimeve populliste nga ana e liderëve të tillë demagogë, si Sllobodan Millosheviçi i Serbisë apo Franjo Tuxhmani i Kroacisë. Duhet të ekzistonte një infrastrukturë e ndjenjave nacionaliste, e ngulitur thellësisht në mendjet e njerëzve për nacionalistë si puna e tyre që ta shfrytëzonin. Nganjëherë Tito i manipulonte nacionalizmat serbë, kroatë dhe shqiptarë dhe me raste i shtypte ato - gjithmonë me kujdes. Ato u shfaqën pas vdekjes së tij. Kjo rishfaqje qe autentike, në mos brutale. Divorci i "kadifenjtë" midis çekëve dhe sllovakëve gjithashtu tregon rëndësinë e forcave parakomuniste, pavarësisht se në terren më paqësor. Universalizmi liberal nganjëherë nuk është aq i fortë sa duhet për t"ju rezistuar kujtimeve nacionaliste.

Kundërgoditje?

Kjo na çon në fazën e tretë të tanishme. Ajo u fillua nga çka duket se është një kundërgoditje kundër demokratizimit dhe liberalizimit në vendet që u dukën se qenë histori suksesi, siç kanë dalë partitë nacionaliste - populliste të fuqishme në Poloni dhe në Hungari. Nganjëherë ato fitojnë zgjedhje dhe formojnë qeveri dhe nganjëherë (si sot) janë në opozitë. Ato mbështeten në ndjenja thellësisht të ngulitura në pjesë të popullsisë. Ngritja e përkohshme e binjakëve Kaczynski në Poloni dhe demonstrimet e dhunshme në Hungari në kohën e përvjetorit të 50-të të revoltës të vitit 1956, janë shembull i kundërgoditjes. Zëra dëshpërimi dhe zhgënjimi të thellë u dëgjuan, politikanë dhe vëzhgues akademikë filluan të habiten se mos eksperimenti i pas 1989 po dështonte. Megjithëse Polonia është e ndryshme nga Hungaria, disa ngjashmëri të dukshme u shfaqën dhe lënë të kuptohet më shumë sesa një rënieje elektorale të partive të identifikuara me demokratizimin. Në të dyja rastet, qe protesta kundër kostove të liberalizimit ekonomik. Ajo u shoqërua nga ndjenja anti-bashkim evropian që i bëjnë jehonë nacionalizmit të dalëmode dhe ndjenjave ksenofobike, nganjëherë të ngjyrosura me antisemitizëm dhe forma të tjera paragjykimi (për sembull, kundër romëve).

Armiqësitë historike u ringjallën, sidomos në Poloni. Sllogane irredentiste u ringjallën në Hungari. Fshatarësia u lëvdua në kontrast me kapitalizmin e pashpirt, nganjëherë i identifikuar me forca të "huaja". Feja u përshëndet në mënyrë të rastësishme si një bastion kundër sistemit imoral ekonomik. Në Poloni, çështja e abortit u paraqit si një arsye për të luftuar ateizmin. "Shekullarizmi" i deklaruar si armiku dhe një lidhje helmatisëse (dhe natyrisht fallse) u sugjerua midis demokratëve të rinj dhe komunistëve të vjetër. Këto ndjenja populliste - nacionaliste në pjesën më të madhe, u dhanë zë humbësve në zhvillimet postkomuniste dhe ekonomike. Një krahasim me fashizmin është ndoshta i pamundur, por këto kundërgoditje ndjenjash, ashtu si dhe kompozimi shoqëror i forcave që i artikulojnë ato, ngjallin disa kujtime të këqija. Megjithatë, pakënaqësia e "humbësve" duket një shpjegim jo i përshtatshëm në vetvete, veçanërisht përderisa një pjesë e tij, kryesisht armiqësi antigjermane dhe antiruse të shprehura nga qeveria e drejtuar nga PiS, i kryesuar nga binjakët Kaczynski, ka pak të bëjë me ankimet ekonomike apo shoqërore. As nuk ka kuptim të flitet ekskluzivisht për liderë cinikë që po shfrytëzojnë zemërimin e shtypur.

Shumë ide të lidhura me PiS-in e sotëm mbështeten në parimet e National Democratic Party (Endecija) e vjetër të Roman Dmoëski, i cili e identifikonte nacionalizmin polak me katolicizmin, antikapitalizmin dhe qëndrimet antigjermane e antiruse. Antisemitizmi i Endecija-s ka qenë deridiku i ndryshuar, për shkak të Holokaustit dhe prej konsideratave të matura, sepse PiS-i është promerikan. Ama, antisemitizmi është dukshëm i pranishëm, për shembull, tek Radio Marija. Menjëherë pas ngjarjeve të 1989, u duk se koalicionet antikomuniste do të tejkalonin shumë trashëgimitë historike dhe do të vendosnin një diskutim politik më të hapur dhe më "normal", por tani shumë prej atyre forcave të stilit të vjetër janë kthyer dhe në disa raste kanë lidhje familjare me elita, parti dhe ideologji të para vitit 1939. Harta politike e sotme e Polonisë i përngjet në shumë mënyra konfigurimeve të paraluftës të vendit, përfshi qeveri koalicioni të dobta të ngritura mbi aleanca jo të lehta, të cilat përpiqen të mbushin hendekun e madh të majtë - të djathtë (dhe që në periudhën e paraluftës shkaktoi kolapsin e demokracisë polake dhe daljen e sundimit gjysëmautoritar të Marshallit Józef Pilsudski). Ndarjet bashkëkohore të Hungarisë gjithashtu vazhdojnë aspektet e krahut të hekurt historik të vendit midis urbanistëve dhe populistëve. Megjithëse një thirrje për të rishikuar Trianon-in (traktatin që vendosi kufijtë e pas vitit 1918 të Hungarisë) natyrshëm do të ishte i rrezikshëm, antiurbanistët hungarezë flasin me zë të lartë rreth minoriteteve hungareze në Sllovaki e Rumani. Ekzistenca e një popullsie hebreje relativisht të madhe në Budapest dhe roli i shquar i njerëzve me origjinë hebreje midis liberalëve hungarezë, i jep falangës së djathtë antisemitike një objektiv më të dukshëm sesa në Poloni, ku hebrejtë u shfarosën nga nazistët.

Histori, Fat, Shpresë

Me pak fjalë: me zhdukjen e kërcënimit të komunizmit dhe kërcënimit të ndërhyrjes së Moskës, koalicionet e vitit 1989 u copëtuan dhe forca të vjetra populiste - nacionaliste u rishfaqën. Në mënyrë sinjifikative, nuk ka ndodhur kjo lloj kundërgoditjeje populiste - nacionaliste në Pragë, ku përpara vitit 1938 ishte demokracia e vetme funksionuese në rajon (ajo ishte larg së qëni e përkryer, por nuk rrëshqiti në autoritarizëm siç bënë fqinjët e saj). Këto elemente vijueshmërie anëmbanë Europës Lindore dhe Qendrore fillimisht mund të duken dekurajues dhe depresues: "Historia është fat". Por ka hapësirë të arsyeshme për shpresë. Parasëgjithash, 2008 nuk është 1939. ka probleme sot, por jo të llojit të krizave që i dhanë fashizmin Italisë dhe Gjermanisë. Rusia nuk është nën kthetrat e diktaturës staliniste. Zërat autoritariste dhe totalitariste qenë në ngritje në vendet më të vogla në vitet Tridhjetë, nga Balltiku në Detin e Zi. Demokracia dukej e falimentuar dhe bile po sfidohej në Francë dhe Britani. Idetë demokratike janë dominuese sot. Eksperimenti Kaczynski duket se ka dështuar, kryesisht sepse aq shumë të rinj polakë e kuptuan se do ta rrezikonte stabilitetin polak. Roli i luajtur nga Bashkimi Evropian rezultoi të jetë thelbësor. Është e vërtetë se vendet jokomuniste që ju bashkuan Bashkimit Evropian (dhe NATO-s!) nuk qenë në lartësinë e duhur të kritereve hyrëse. Sërish, anëtarësimi i tyre siguroi një garanci implicite kundrejt çdo pushtimi neoperandorak rus dhe një lloj policë siguruese kundër rrëshqitjes prapa në paragjysëmautoritarizmin e vitit 1939. Edhe pse ndjenjat antiBashkim Evropian mund të dëgjohen në të djathtën kryesore në Poloni dhe Hungari, anëtarësimi në të i kyç vendet në demokraci, liberalizëm dhe ekonomi tregu. Është ndryshe në Rusi dhe Ukrainë. Sipas të gjitha gjasave, Europa Lindore dhe Qëndrore do të vazhdojë në dy rrugë paralele: konsolidim të mëtejshëm të demokracisë në vendet e Vishegradit, të ankoruara deridiku në traditat e tyre të shoqërisë civile dhe institucionet përfaqësuese të kaluara, pavarësisht disa pengesave dhe nganjëherë diskutimeve të zjarrta të brendshme. Në Rusi dhe Ukrainë, këto elemente mungojnë dhe prandaj zhvillimet e tyre ecin nëpër trajektore të tjera. Në Rumani dhe Bullgari, ashtu si në Gjeorgji, juria akoma duket se është jashtë. Modelet historike nuk janë gjithëpërcaktuese, por ato nuk zhduken lehtësisht dhe forca kundërvepruese të fuqishme duhen për të transformuar dhe vepruar kundër tyre. Kjo është ajo që krijon ndryshim themelor. Pa to, e ardhmja mund t'u ngjajë shumë variacioneve të së kaluarës.

Shlomo Avineri është Profesor i Shkencave Politike në Hebreë University të Jeruzalemit dhe Profesor Shëtitës në Central European University në Budapest. Libri i tij më i fundit (në hebraisht) është Herzl: An Intellectual Biography.

Përgatiti: ARMIN TIRANA

No comments: