Monday, September 1, 2008

Enigma 27 vjeçare e Mehmet Shehut

Fundi i Mehmet Shehut dhe bllokimi i hapjes të dosjes së spiunëve

Nga Pirro PRIFTI

- Prokuroria, më në fund duhet të përfundojë e të zgjidhë enigmën 27 vjeçare të Mehmet Shehut duke bërë të paktën zhvarrosjen dhe formalizimin zyrtar të një nga ngjarjeve më të bujshme të 30 viteve të fundit, ngjarje, zgjidhja e të cilës do të vinte gishtin në plagën komuniste duke treguar më në fund hipokrizinë e atij sistemi dhe atyre njerëzve, klanet e të cilëve mbijetuan pas kohës së post diktaturës duke i shkaktuar popullit shqiptar ngatërresa, vuajtje, anarki, tranzicion të zgjatur për shkak të detyrave për zbatimin e dokrrave të R. Alisë të të ashtuquajturës, zbatim të ‘kalimit të butë nga sistemi socialist në atë kapitalist’ që shkaktuan trazira të padëgjuara në Shqipëri si ato të 91-92, 97, 98, e më vonë deri në 2008. Është në nderin e prokurorisë së sotme, që më në fund të rihapë e të japë konkluzionet e saj përfundimtare për vrasjen e Mehmet Shehut për këto arsye:
* Sepse ishte një drejtues për 26 vjet,
* Sepse nën të ashtuquajturën vetëvrasje të tij fshihen edhe individë të sotëm, që janë gjallë qoftë këtu, qoftë jashtë shtetit, të cilët kanë marrë pjesë në atë ngjarje.
* Sepse klani i atëhershëm që realizoi këtë vrasje i ka tentakulat e veta të shtrira edhe sot e kësaj dite në drejtimin e ekonomisë, financave, në politikë etj,
* Sepse (pavarësisht që mund të mos duan njerëz të ndryshëm sot) ai është një hero i luftës për çlirim dhe pro-perëndimori i vetëm në atë kohë.
* Sepse është një rast i pazgjidhur profesionalisht.
Shumë vetë mund të mos gjejnë argument logjik në këto rreshta të shkruara, sepse mund të konfuzionohen si nga boshllëku kohor (ngjarja e vitit 1981 me ligjin e pamiratuar për ish-nomeklaturistët e kuq, ish-sigurimsat e ish-spiunët), nga harresa e ngjarjeve të vogla, por të vazhdueshme, por që kanë lidhje me njëra-tjetrën, dhe nga disinformimi. E vërteta qëndron se vetëvrasja e Mehmet Shehut (që sot për shumë njerëz ngelet vetëm një histori), ka lidhje të forta me ngjarjet që pasuan për shkak të klanit të Ramiz Alisë, i cili drejtoi vendin dhe që bëri të ashtuquajturën kalim paqësor nga socializmi në kapitalizëm (që nuk ishte fare paqësor dhe aspak i ngjashëm me Revolucionin e kadifenjtë të Europës qendrore, por ngjasoi me puçet bizantine ballkanike të Rumanisë me Çausheskun, të Jugosllavisë me Millosheviçin). Ky klan shpërndau ‘virusin komunist’ pas 1991, virus i cili ka zgjatur tranzicionin, ka shkaktuar mijëra të vrarë, ka shkaktuar qindra mijëra emigrantë, ka shkaktuar tragjedira e çrregullime sociale, aq sa në Shqipëri mund të numërohen (sipas disa statistikave të psikiatrisë, shih Tirana Observer e dt. 21.06.2008) rreth 500.000 të sëmurë me depresion e çrregullime psikike si fobira, obsesione, fiksacione etj, etj,. E pse të mos flasim për këto? Nëse s’do të flasim për këto e të vëmë gishtin mbi plagë si Shën Thomai, atëherë nuk jemi njerëz të përgjegjshëm e do të jemi vetë me faj, që të paktën nëse nuk kemi fuqi që t’i nxjerrim këta njerëz para gjyqit, atëherë të paktën të denoncojmë shkaktarët e këtij fati të mbrapshtë, që i ka dhënë Shqipërisë një nam kaq të keq, që i ka dhënë shqiptarëve një tranzicion të qëllimtë të zgjatur e dramatik, që i ka dhënë Shqipërisë probleme ekonomiko-sociale kaq të mëdha.
Edhe nëse miqtë tanë të mëdhenj amerikanë na ndihmuan në këtë periudhë, ata nuk u afruan për ndonjë preferencë të klanit ish-komunist, por pikërisht se e dinin që përveçse një vend i vogël e pa përkrahje e plot probleme me fqinjët, kjo Shqipëri kishte njerëz që e donin perëndimin që në atë kohë e një nga këta ishte Mehmet Shehu. Problemet lindën vetëm për një shkak: të vonimit të miratimit të një ligji, ligjit të mos marrjes pjesë në asnjë lloj drejtimi të ish-drejtuesve komunistë dhe të ish-nomeklaturës së kuqe, që duhej të ishte miratuar që në 1993, por që presioni i ish-komunistëve të futur nëpër partitë e reja (ose siç i quajti Sali Berisha kripto-komunistët) pengoi miratimin me këto pasoja fatale sociale e me një faturë të jashtëzakonshme ekonomiko-financiare. Dihej se përse e kërkuan me këmbëngulje vonimin e ligjit ish-ët, sepse miratimi do të largonte përfundimisht nga pushteti post komunist të klanit (pra të atyre që gjithashtu vranë Mehmetin, uzurpuan pushtetin, nuk lanë Shqipërinë të afrohej me perëndimin që atëherë, parazituan dhe vazhdojnë të jenë në drejtimin ekonomik-politik në sistemin e sotëm demokratik). Pa e fshehur që Mehmeti ishte komunist dhe se qenia në pushtet e kishte inkriminuar në shumë gjëra, ai për mendimin tim personal ishte një nacionalist, një internacionalist një pro-perëndimor, figura numër 1 e luftëtarit për liri së bashku me Spiro Moisiun, Mujo Ulqinakun, Myslym Pezën e shumë të tjerë, që luftuan për liri dhe mbështetën koalicionin anglo-amerikan (+sovjetik) antifashist. Marrja hipotetike e pushtetit nga ana e tij mund të ndryshonte rrjedhën e historisë shqiptare drejt perëndimit shumë vite para 1991. Historisë së tij të shumë përfolur, unë mund t’i shtoj vetëm një dëshmi që e kam dëgjuar vetë nga shefi i atëhershëm i Mjekësisë Ligjorë, i cili bëri autopsinë e Mehmet Shehut. Në një darkë krejt miqësore mes mjekësh që na shtroi pas një operacioni të vështirë (ai vendosi një protezë kokso-femorale) rreth vitit 1987-8, pra 6-7 vite më pas ngjarjes, ky shef që në atë kohë na pohoi një histori mjaft të rëndë. Ai tha: “Pasi erdhi kufoma e Mehmet Shehut në morgun e spitalit (sot QSUT) ne kryem autopsinë. Në autopsi mori pjesë Llambi Ziçishti, atëherë Ministër i Shëndetësisë së asaj kohe, sepse i takonte të ishte i pranishëm” (pra, fjalët e shefit të Mjekësisë Ligjore). Llambi (Llambi Ziçishti ishte ministër dhe kirurg shumë i zoti) menjëherë pasi e zbuluam kufomën tha i shqetësuar dhe i habitur: Po, këtë e paskën vrarë bre?! Unë (Shefi i Mjekësisë Ligjore të asaj kohe) i thashë me të qeshur: Jo ore është vetëvrarë. Po si qenka vetëvrarë?- ulëriti Llambi Ziçishti. Ky paska dy vrima plumbi. Ne buzëqeshëm dhe i thamë: “Ik o Llambi, ky është vetëvrarë”. Llambi iku, duke turfulluar. Ne darkonjësit vumë buzën në gaz ashtu siç e vuri dhe i zoti i shtëpisë (mos harroni qe 1987). Ky ishte mesa duket dhe shkaku që Llambi Ziçishti u pushkatua. E sot?. Ç’po ndodh?. A duhet të merremi me historinë apo të harrojmë ashtu si kemi harruar shumë ngjarje historike (për të cilën kanë dhënë ‘kontribut të madh’ edhe fqinjët) duke na bërë një popull pa një histori të qartë? Megjithatë, për historitë e fund komunizmi e të tranzicionit të paktën ato, që po i jetojmë duhet të mos i harrojmë e të kujtojmë si dhe të akuzojmë ish-ët e djeshëm që po na shkaktojnë kaq probleme e vonesa sepse, të tërë janë të fshehur. Të tërë kanë veshur kostumin e ri të demokratit. Të tërë janë në poste drejtuese politike, ekonomike, sociale e të shoqërisë civile. Të tërë janë bashkëfajtorët, që punët kanë shkuar kaq mbrapsht në Shqipëri në periudhën post komuniste. Të tërë këta individë, që drejtonin dikur armatën e sigurimit të shtetit, që drejtonin dikur ‘majën e shpatës së klasës punëtore’, që udhëzonin dikur kooperativistët se ‘sa të lumtur ishin’ por që shqyheshin dikur për të shtetëzuar tokat e për të prishur pronën private (vetëm e vetëm që të merreshin me sy të mirë nga udhëheqja), ata që bënë çmos këto 18 vite për të treguar sesa i keq ishte kapitalizmi dhe sesa fatkeq do të ishte populli nëse ndërronte sistemin, janë sot (apo bijtë e të afërmit e tyre) në parlament apo bosë, që shpëlajnë paratë ose me ish-kapterët e 1996-1997, ose me ish-shoferë e bodigardë të viteve të pas 1999, apo janë në drejtime të ndonjë OJQ-je, të ndonjë shoqate e shoqërie civile,duke ‘mbrojtur demokracinë’, duke ‘mbrojtur pronën private’, duke ‘brohoritur Amerikën e KE’. O tempora o mores! Nuk ka hipokrizi më të kulluar dhe më paradoksale se sa kjo që po ndodh në Shqipëri. Pikë për pikë zbatim i Udhëzimeve të fundit të Ramiz Alisë për të mos lënë në dorë pasurinë socialiste në duart e ish borgjezëve, ish pronarëve e ish të dënuarve politikë. Pikë për pikë zbatim i udhëzimeve të fundit të Ramiz Alisë për të mbajtur pushtetin edhe në periudhën post-komuniste në një mënyre ‘ashtu siç e kërkonte KE’, duke formuar pluralizmin por me drejtues të PPSH (bëjnë përjashtim disa persona ish komunistë të cilët dhanë vlera e kontribute gjatë kësaj periudhe. Nuk është problemi që të kthejmë kohën mbrapsht se ajo s’kthehet, por problemi qëndron që këta njerëz nuk duhet të lihen të rrinë e të drejtojnë vendin e të përqeshin popullin, inteligjencën tonë duke na thënë: “E shikoni s’na bëni dot gjë. Ne e kishim ne e kemi”. Ndoshta me rihapjen e këtij procesi, me miratimin më në fund të një ligji që duhet të jetë i plotë për largimin nga postet drejtuese administrative, politike, vendore, sociale, të ish-nomeklaturistëve të kuq, të ish-sigurimsave, të ish -piunëve, Shqipëria mund të marrë frymë lirisht, sepse më në fund parazitët e ish-komunizmit dhe mentaliteti i tyre nuk do të na pengojë e vonojë më. Asnjëherë nuk është vonë.

No comments: