Sunday, June 29, 2008

KAPISTALLI NË GOJËN E SEJCILIT

KAPISTALLI NË GOJËN E SEJCILIT

-OPINION-

-NGA JAKUP GJOÇA-

Ndonëse herët, kafeneja pranë stacionit të autobuzave të linjave të rretheve është tejet e mbushur.

Kërkova një copë herë, ndonjë vend të lirë.

Diku syri më zuri një tavolinë, ku ishte ulur vetëm një burrë, i cili ishte humbur i tëri në faqet e gazetës .

-A mund të ulem?- e pyeta me zë të lartë, që ta përmendja tjetrin nga leximi i gazetës.Mbi tavolinë, kishte nderë edhe gazeta të tjera.

- Ah, po, uluni, uluni, - tjetri më ftoi përzemërisht, dhe mbështolli gazetën që lexonte, si edhe gazetat e tjera.

- Do të udhëtoni edhe ju, në këtë vapë?- e pyeta për të hapur muhabet.

-Jo, or mik, jo. Ku të vete?

- Po çne këtu, në kafene, mëngjez-mëngjez? Nuk punon?

-Ku ta vras kohën, më mirë se në kafene? Sa për punë, e kam harruar me kohë.

- Qahemi-qahemi për shtrenjtësinë , ama kafenë e e birrën e pimë në kafene, - ngacmoj bisedën.

-Çthua, or burrë?! Kafenenë ne e kemi kthyer në sallon të shtëpisë. Pyet shqiptari për çmimet e rakisë e të birrës? Shqiptari nuk do tja dijë për çmimin e naftës. Nuk i shikon? Të gjithë , tërë ditën në timon janë. Edhe për të blerë birrën, me makinë shkojnë te dera e dyqanit.

- Çtë reja kemi sot nga gazetat?- e pyes.

- Të gjitha , të njëjtat shkruajnë. Si ia bënë 8 me 2 Sala dhe Rama Topit.

-Për kë temë?

- Për kandidatët e gjykatësve.

- Ah, po.

-Nuk më thua, or mik- më pyet tjetri dhe më shtrëngon edhe dorën e majtë.- Çmizë e ka ngarë Salën që nuk do kandidatët e Topit për në gjykatën e Lartë?Sa për Ramën, mbase nuk do ngaqë është politikë e opozitës , që të kundërshtojë çdo kandidat të demokratëve.

-Këtë do të të pyesja unë ty. Unë jam emigrant, dhe nuk e kam kuptuar . Po, ma merr mendja, është çështje e parimeve politike.

-Punëlumët ne ?!- më thotë me një ton keqardhës bashkëbiseduesi.

- Po ty, or mik, çpunë të prishet , nëse votohen apo rrëzohen kandidatët e kujdo politike ? Ke ndonjë të afërm nga kandidatët , e të prishet interesi?

-Mirë na e punojnë. Paq na e bëjnë para e mbrapa të gjithëve neve, këta lanetë politikanë.

-Përse mirë na e bëjnë?- më shumë unë doja ta ngacmoja bashkëbiseduesin që të shprehej më hapur. Kisha ndjesinë se e njihja kaq mirë, sa intimitieti i bashkëbisedimit kishte humbur këtë rastëri njohjeje të këtij mëngjez qershori.

-Ti shikosh se si hahen dhëmbë për dhëmbë në televizor me njeri-tjetrin, atje në parlament? Na çajnë barkun e na bëjnë qimen tel me ato llafe të mëdha që thonë në emrin tim, në emrin tënd, në emrin tonë, kundër njeri-tjetrit.

-Për kë e ke fjalën?

- Ja për ata gjykatës që nuk votuan. Të pyes unë ty.-Kë nga ata gjykatës që nuk votuan deputetët e Salës dhe të Ramës, njeh ty?

-Asnjë.

-Edhe unë asnjë nuk njoh. E shikon? Po nga ata që duan të zgjedhin Sala me Ramën kë njeh ty?

-Asnjë!

-Edhe unë, edhe ne të tjerët, të shumtit, asnjë nuk njohim.

-Atëhere?

- Çfarë atëhere! Nuk e kupton përse zihen të gjithë me njeri-tjetrin?

- Ju thashë që jam emigrant, dhe nuk i kuptoj përse zihen deputetët për disa kandidatura të gjykatësve.

-Kruhen , aty ku kanë mizën , or miku im.

-Mizën e politikës?

-Jo, o miku im, jo. Tjetër mizë , më e madhe i ha Salën dhe Ramën, kësaj here.

- Sa mizë e madhe?

-Ishe këtu , në fushatën elektorale të Salës?

-Jo, humba shumë?

- I fituar je. Mjerë ne?! Na çau veshët Sala me propagandën .Do të fuste të gjithë politikanët qeveritarë që kanë korruptuar. Këtu u gënjyen edhe shumica që votuan Salën. Ishin neveritur me qeveritarët e Nanos , që hëngrën lekët e popullit.

- Ndaj , u mbushën burgjet me politikanë, ë? ...

-Tallesh?

- Mbase, në katërvjeçarin tjetër të qeverisjes , Sala do të ketë kohë që të gjykojë korrupsionin e ishqeveritarëve socialistë.

-Këtu puqen të gjithë, edhe deputetët e Salës , edhe deputetët e Ramës. Që nuk duan të kenë gjykatës në Gjykatën e Lartë ndonjë që nuk është i tyre.

- Pse, ka akoma gjykatës partiakë?- ironikisht doja të ngacmoja bisedën, dhe jo bashkëbiseduesin.

-Këtu i trembet Sala dhe Rama edhe Presidentit Topi. Që Topi nuk e dëgjon më Salën dhe ka vënë kandidatë për gjykatës në Gjykatën e Lartë gjyqtarë që të mos ndikohen partiakisht nga asnjë.

-Këtë ke kuptuar?- e pyeta , kësaj here seriozisht.

-Shiko, sa të qarta janë gjerat. A nuk e ndoqi Sala prokuror Sallakun, me akuzën se nuk luftoi korrupsionin? Kë çështje gjyqësore gjykoi prokurorja e re e Salës? Asnjë! Cili ministër i Salës u gjykua , edhe pse Basha akuzohet për miliona evro përvetësim? Basha , që të fshehë korrupsionin e tij, a nuk tha që Rama ka përvetësuar miliona evro ? Domethënë , jemi barabar- i tha Basha Ramës.

Çbëri Rama? Heshti. Po të kishte shpifur Basha, Rama a nuk duhet ta akuzonte për shpifje? Hesht Rama për Bashën, dhe hesht edhe Sala për Ramën. Prandaj, Sala dhe Rama duan të kenë gjykatësit e tyre në Gjykatën e Lartë, që të mos i ngacmojë askush në punët e tyre.

-Ama, deputetët, sa herë tregojnë gjoksin e tyre në parlament, bëjnë be rrufe që flasin në emër ta atyre që i kanë votuar. Domethënë, ata deputetë , atje në parlament, votojnë dëshirën tënde, dëshirën time. Ne , përse të qahemi, tani që na e punojnë para e mbrapa, siç ma the në fillim.

-Kjo është e vërteta. Kjo është edhe kapistalli që na kanë vënë në gojë politikanët tanë , miku im. Na e kanë vënë kapistallin , ata qena politikanë, që të na heqin kollaj për hunde.

Shikon sot, ndonjë nga ne që të reagojë?Të protestojë? Mirë e the, sa u ule.Kafenetë në çdo kohë, tërë ditën plot janë.Cili shqiptar bëhet merak , sa është në kafene që birra vete 3.000 lekë? 3.000 lekë të vejë kilja e naftës, prapë shqiptari me maiknë do të shkojë të blejë birrën në dyqan.

Dhe ata, Sala e Rama puqen me njëri-tjetrin në parlament për të mbuluar kusuret e korrupsionit të tyre . Milionat e evrove që vjedhin, nuk kanë ngjyrë partie. Dhe ne, me kapistallin në gojë e me shshen e birrës në dorë ngrejmë dollinë për kryetar Salën dhe kryetar Ramën. Tju rrojmë , që të na i punojnë para dhe mbrapa.....

JAKUP.B. GJOÇA

No comments: